E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shulc: Rama, synim përjashtimin e Ilir Metës

Lëvizja Socialiste për Integrim merr mbështetjen e presidentit të grupit socialist në Parlamentin Evropian, Martin Shulc. Në një deklarim për mediat shqiptare, Shulci shprehet se Kodi i ri Zgjedhor që është hartuar nga dy partitë e mëdha në vend, ka si synim përjashtimin e partisë së Ilir Metës. Shulci u shpreh se kjo gjë nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë, sepse këto zgjedhje janë të rëndësishme për të ardhmen dhe për demokracinë në Shqipëri.

“Unë jam shumë i qartë se procesi i hartimit të Kodit Elektoral është një proces shumë i rëndësishëm, por më e rëndësishmja është që të krijohet një situatë pozitive dhe gjithëpërfshirëse, sepse me sa jam informuar unë, jo të gjitha partitë janë përfshirë në këtë proces. Dhe është shumë e qartë, që partia e mikut tim Ilir Meta po shmanget nga ky proces”, - tha Shulc, duke shtuar se “Berisha me Ramën kanë një synim shumë të qartë për ta përjashtuar partinë e Ilir Metës nga ky proces dhe këtë ne nuk mund ta pranojmë”. Nisur nga kjo, ai bëri të ditur se ka organizuar një takim midis Ilir Metës dhe komisionerit përgjegjës për zgjerimin e BE-së, Oli Ren. I pyetur se cili ka qenë reagimi i Renit kur i ka bërë të ditur çështjen, Shulci vuri në dukje se z. Ren ka treguar një angazhim të madh mbi këtë çështje dhe ka rënë dakord që të zhvillojë një takim dhe të bisedojë me z. Ilir Meta dhe me përfaqësues të qeverisë, me parti të tjera dhe organe të tjera shtetërore. “Këto zgjedhje janë kruçiale për të ardhmen dhe për demokracinë në Shqipëri, ndaj çështja kryesore e imja në këtë proces të përgatitjes së zgjedhjeve është që të gjitha partitë dhe të gjitha interesat e votuesve duhet të përfaqësohen në këtë proces. Sepse tendenca për të përjashtuar dikë krijon një atmosferë mosbesimi dhe kjo është totalisht në kundërshtim me atë çka ka nevojë Shqipëria në këto momente”, - shtoi presidenti i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian. Njëkohësisht, Shulci, pavarësisht situatës dhe mungesës së bashkëpunimit mes Ramës dhe Metës, theksoi nevojën e bashkimit të dy partive. Ndër të tjera, ai vuri në dukje se “partia e Edi Ramës është një parti anëtare e Internacionales Socialiste dhe unë jam në kontakte të vazhdueshme dhe të ngushta me këtë parti për shkak edhe të pozicionit tim, ndërsa Ilir Meta është një mik prej shumë kohësh dhe në këtë kontekst unë mendoj se në këto momente na duhet një e majtë e bashkuar në Shqipëri. Mesazhi im për Ilir Metën dhe Edi Ramën është se në këto momente ka shumë nevojë për një bashkëpunim midis të majtës dhe të gjitha partive. Ndaj të gjitha partitë e majta duhet të marrin në konsideratë se një e majtë e ndarë është pa dyshim një avantazh i madh për të djathtën”, - deklaroi Shulc.

Martin Shuc, presidenti i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian është një mbështetës i njohur i kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ai e mbështeti LSI-në edhe disa muaj më parë në kohë kur kjo parti protestoi kundër ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›