E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama ka xhelozi të hershme për Priftin

22/07/2010 Kreu i LSI-së mbron publikisht ministrin e Ekonomisë nga akuzat e opozitës

“Kemi të bëjmë me një krizë të madhe të lidershipit të kësaj force politike”

Kundërvënia ndaj ministrit Dritan Prifti, as më shumë e as më pak, është fobi e kreut të PS-së ndaj tij. Në një konstatim të tillë arriti dje Lëvizja Socialiste për Integrim sa u takon akuzave të lëshuara gjatë këtyre ditëve nga Partia Socialiste në adresë të ministrit Prifti. Ishte vetë kreu i kësaj partie, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, që u dha një përgjigje zyrtare të gjitha pretendimeve të ngritura në vijimësi nga ana e selisë rozë pas publikimit të deklaratës së pasurisë. “Konflikti Rama-Prifti është i vjetër, që kur kanë qenë të dy në PS. E them me keqardhje që xhelozia, apo fobia e Edi Ramës ndaj Dritan Priftit është e vjetër, ndërsa sulmet e opozitës për pasurinë e tij janë vërtet shumë banale dhe denigruese”, - vuri në dukje zëvendëskryeministri Meta gjatë një konference për shtyp. Kështu, menjëherë pas kthimit të tij nga Afganistani, kreu i LSI-së jo vetëm deklaroi mbështetjen ndaj përfaqësuesit të kësaj partie, por nga ana tjetër në argumentimin që i bëri një qëndrimi të tillë nuk harroi të shigjetonte ashpër lidershipin e PS-së. “Kemi të bëjmë me një krizë të madhe të lidershipit të kësaj force politike, që është çorientuar plotësisht, ndërsa këtë çështje duhet ta zgjidhin organet përkatëse, sikurse ka bërë thirrje edhe ministri Prifti. Edhe PS-ja në këtë rrugë duhet ti ndjekë akuzat e saj. Në vend që të përqendrohet te reforma zgjedhore për të çuar përpara edhe projektet e saj për transparencë, merret me çështje për të cilat Prifti ka bërë thirrje që të hetohet pasuria e tij”, - vlerësoi Meta lidhur me këtë çështje. Në gjykimin e tij, deklaratat e PS-së, e cila theksonte se ortaku që ka marrë këto aksione është kushëri i Petrit Vasilit, është absurdi i radhës i kupolës rozë. “Kjo është një përpjekje diabolike për të krijuar një klimë denigruese dhe të pandershme, pasi ky person merret me aktivitet farmaceutik prej 15 vjetësh dhe ka marrë pjesë në këto lloj aktivitetesh shumë kohë përpara se Vasili të bëhej ministër i shëndetësisë”, - u shpreh Meta. Madje, gjatë bashkëbisedimit të tij me mediet ministri Meta apeloi për nisjen sa më parë të punës për reformën zgjedhore dhe ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet. Ndërkohë, duke folur për vizitën në Afganistan, Meta e vlerësoi Konferencën Ndërkombëtare të Kabulit si një aktivitet me rëndësi në përpjekjet e ndërkombëtarëve për normalizimin e situatës në Afganistan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›