Meta: Rama kërkon pushtetin me dhunë
“Çështja e hapjes së kutive është e mbyllur, ndërsa ajo e arritjes së standardeve më të larta në zgjedhje është e hapur”. Kështu deklaroi dje zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, në Kuvend në lidhje me kërkesat e opozitës për hapjen e kutive, si dhe për protestën e pritshme të ditës së sotme. “Ne jemi shprehur të hapur për të realizuar çdo kërkesë të opozitës, duke ia dhënë dhe të drejtën e shumicës së komisionit hetimor, por në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë që të cenohet ligji dhe Kushtetuta. Ne i bëjmë thirrje për dialog, kreu i PS bën thirrje për shantazh. S’mund të mbahen institucionet me shantazh dhe presione dhe të bëhet thirrje për marrjen e pushtetit me dhunë apo me revansh. Maxhoranca e ka vullnetin për dialog, por kjo nuk zhvillohet me presione dhe ultimatume, por mbi të gjitha nuk bëhet me denigrime personale dhe familjes nga vetë kreu i PS-së”, theksoi Meta. Numri dy i qeverisë shtoi se “të gjejmë zgjidhje që nuk cënojnë parimin themelor të shtetit ligjor, ku kryesorja është pavarësia e pushtetit gjyqsor”. “Pra përsëris, kapitulli i hapjes së kutive është i mbyllur. Opozita ka ftesë për të përmirësuar standartet në vend, gjë që kërkohet edhe nga institucionet e BE. Ata të vijnë në Parlament që dialogu të bëhet në institucione, ose do të shkojmë edhe ne me batanije të bëjme dialog në rrugë”, vijoi kryediplomati Meta. Kryediplomati reagoi sërish pas qëndrimit të Ramës, duke theksuar se ai “iu përgjigj me papërgjegjshmëri ftesës së maxhorancës për dialog, duke bëri sërish thirrje për dhunim të institucioneve”.