“Vendimi për heqjen e vizave jo më vonë se në korrik 2010”
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë raportimit në dy komisione parlamentare, shprehu bindjen se brenda vitit të ardhshëm shqiptarët do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. “Skenari ynë është se vendimi për liberalizimin e vizave me BE do të merret jo më vonë se në Korrik të 2010, dhe lëvizja pa viza do të realizohet po brenda këtij viti”, tha Meta. Deputetët e Komisionit të Jashtëm dhe të Integrimit u njohën dje me përpjekjet që po bën qeveria shqiptare në plotësimin e kushteve, për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave brenda vitit 2010. Për sa i përket sigurisë së dokumenteve, sipas Metës, Shqipëria ka shënuar një revolucion të vërtetë në dokumentet biometrike, si kartat e identitetit, ashtu edhe pasaportat. “Ka një kapërcim galopant nga regjistrat e vjetër manualë, në një sistem të kompjuterizuar dhe të sigurt të dhënash; nga seriali i çertifikatave në karta identiteti multifunksionale; falë sistemit modern, të shpejtë dhe efikas të instaluar janë shpërndarë 265.000 pasaporta biometrike në vetëm 6 muaj. Ky është ritmi më i lartë i shpërndarjes së pasaportave biometrike në rajon, dhe tejkalon çdo parashikim tonin apo të BE për ecurinë e këtij procesi. Të rëndësishme janë edhe aspektet e sigurisë, së vetë dokumenteve dhe qendrës së personalizimit, programet antikorrupsion, procedimi i menjëhershëm i të dhënave të pasaportave të humbura apo të vjedhura, të cilat mbyllin plotësimin e të gjitha detyrimeve për këtë bllok”, deklaroi Meta. Për sa i përket bllokut e sigurisë së kufijve, kryediplomati deklaroi se “janë adoptuar të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore dhe për kontrollin dhe survejimin e kufirit, të cilat janë tashmë në zbatim. Janë miratuar dhe janë duke u zbatuar Strategjia dhe plani i veprimit MIK”. “Është bërë ndarja e përgjegjësive territoriale për menaxhimin e kufirit, është vendosur ngritja e Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar, dhe me anë të një rregulloreje të përbashkët është unifikuar sistemi i kontrollit në PKK, sipas parimit one-stop-shop, që përfshin kontrollin e dokumentacionit, doganor dhe fitosanitar”. Duke folur për çështjen e korrupsionit, Meta pranoi se ka ende probleme, por po punohet që të zbatohen të gjitha strategjitë. “Për një periudhë 9-mujore janë konfiskuar 3.172.000 euro në llogari bankare, dhe pas miratimit të ligjit pritet që këto rezultate të njohin ngritje substanciale”, theksoi Meta. Ndërsa në lidhje me pyetjen e kryekomisionerit, Fatos Beja, për panikun që mund të kenë vendet e BE-së, se mos marrja e vizave sjell një rritje të fluksit të emigrimit, Meta theksoi se po punohet që një gjë e tillë të mos ndodhë me anë të forcimit të institucioneve. “Kjo gjë kërkohet nga disa vende anëtare të BE, për shkak të shfaqes së shëmtuar të kriminalitetit në vendet e tyre, ku ka ndodhur jo rrallë që të jetë me origjinë shqiptare. Ekziston një shqetësim në këto vende për krimin e organizuar, jo thjesht si një fenomen shqiptar apo ballkanik, por në përgjithësi”, tha Meta.