E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama po dëmton procesin e vizave

Angazhimi serioz i qeverisë së koalicionit të djathtë po bën të mundur liberalizimin e shpejtë të heqjes së vizave. Këtë e bëri dje të ditur zv.kryeministri njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë një takimi me strukturat e LSI-së në Berat. Ai vuri në dukje se qeveria ka punuar shumë sa i përket plotësimit të kushteve dhe se shqiptarët do të lëvizin lirshëm në BE brenda këtij viti. Është bërë një revolucion i vërtetë në plotësimin e kushteve dhe të standardeve për të fituar procesin e liberalizimit të vizave. Është një punë voluminoze dhe vlerësim konkret që ka treguar qartë vullnetin e kësaj qeverie dhe të vullnetit tonë që brenda këtij viti të gjithë shqiptarët të udhëtojnë pa viza brenda vendeve Shengen", - theksoi z. Meta. Në takimin e zhvilluar me anëtarë të LSI-së në qytetin e 1 mijë e një dritareve, kryetari Ilir Meta akuzoi opozitën se po dëmton imazhin e vendit se duhej ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kërkesat e saj dhe të respektojë institucionet e vendit. Duan të hapin kutitë, por për kutitë është marrë vendimi i gjykatës së zgjedhjeve. Në rast se ata duan të dalin mbi këtë vendim, le ti drejtohen një gjykate që është mbi çdo gjykatë në Shqipëri, Gjykatës Kushtetuese. Duan që të interpretohet ky vendim, le ti drejtohen Komisionit të Venecias sepse është një institucion shumë prestigjiozë që na ka ndihmuar për të hartuar Kushtetutën me ekspertizë, u shpreh z. Meta. Më tej kreu i LSI-së u shpreh se opozita nuk ka qëllim transparencën e zgjedhjeve, por krijimin e një krize artificiale për të ardhur më pas në pushtet pa vota dhe jo në mënyrë demokratike. Z. Meta u ndal dhe në akuzat e PS-së për situatën ekonomike duke theksuar se arritjet e vendit në këtë pikë janë pozitive duke parë dhe zhvillimet rajonale dhe situatën kur bota gjendet në një krizë ekonomike. Meta, i shoqëruar dhe nga deputetët Nasip Naço dhe Lefter Koka, garantoi mbështetësit e LSI-së se partia e tij ishte gati për zgjedhjet vendore që do të zhvillohen vitin e ardhshëm. Sipas Metës, Lëvizja Socialiste për Integrim është garanci për qeverisjen e vendit. Kryetari i LSI-së është ndalur në procesin e qeverisjes dhe angazhimin e LSI-së për liberalizimin e vizave dhe në integrimin evropian. Duke theksuar rëndësinë e procesit të heqjes së vizave, Meta u shpreh i sigurt në liberalizimin e tyre brenda këtij viti. Gjithashtu, kreu i LSI-së foli dhe për procesin e riorganizimit dhe përgatitjes së LSI-së për zgjedhjet lokale. Në këtë pikë, ai shtoi se LSI-ja është gati për të nisur takimet dhe konsultimet me bazën për këto zgjedhje. Kryetari i LSI-së, gjatë fjalës së tij në Berat foli edhe për zhvillimet politike dhe krizën e shkaktuar nga Partia Socialiste. Ai ka ritheksuar dhe një herë qëndrimin për zhvillimin e debatit në Kuvend dhe gjetjen e zgjidhjes për kresat e PS-së në bazë të hapësirave kushtetuese. Sipas tij, Partia Socialiste duhet tu drejtohet gjykatave për të zgjidhur problemet e saj dhe jo mazhorancës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›