Ndryshimet, Pollo e Olldashi, të hënën betimi tek Topi
Dy ministrat, Sokol Olldashi dhe Genc Pollo, pas ndryshimit të emërtesave të dikastereve që ata drejtojnë, ditën e hënë do të betohen para Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në Presidencë, me datën 19 prill në orën 11:00, do të zhvillohet ceremonia e betimit të dy ministrave, Sokol Olldashi dhe Genc Pollo. Një vendim i para disa ditëve i Kryeministrit Sali Berisha dhe më pas dekreti i kreut të shtetit, Bamir Topi, i heqin ministrit Sokol Olldashi një pjesë të këtij dikasteri dhe ia shtojnë Genc Pollos. Kreu i shtetit dekretoi para 5 ditëve ndryshimin e emërtesave të ministrave të kabinetit qeveritar. Pikërisht, Topi vendosi firmën për ndryshimin e portofolave të ministrave Olldashi dhe Pollo, duke dekretuar ndryshimin e emërtesave të ministrave të kabinetit qeveritar, me propozim të Kryeministrit Sali Berisha. Konkretisht, në bazë të këtij dekreti, Sokol Olldashi do të kryejë detyrën e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, ndërsa Genc Pollo, deri tani ministër Shteti, tashmë do të quhet ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit. Deri dje, Olldashi ishte ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, kurse Pollo, ministër i Shtetit pranë Kryeministrit.