Meta Ramës: Të hapur për koalicion

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta lë të hapur mundësinë për koalicion me Partinë Socialiste. Deklarata e aleatit të qeverisë aktuale, u bë sot pas përfundimit të takimit me ambasadorët e Bashkimit Evropian, të akredituar në vendin tonë.
Në deklaratën për media që Meta dha pas takimit, iu përgjigj interesit të gazetarëve të cilët sollën në fokus deklaratën e djeshme të liderit të opozitës Edi Rama për koalicion me LSI-në, me qëllim rivendosjen e demokracisë me zgjedhje të lira.
Duke iu përgjigjur kësaj ftese, Meta tha se është i hapur për çdo koalicion, edhe me Partinë Socialiste me qëllim që të ecet para me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Ne e respektojmë mendimin e cilitdo. Qëndrimet tona kanë qenë publike dhe do të mbeten të tilla. Ne jemi të angazhuar për të plotësuar të gjitha detyrimet dhe angazhimet tona në këtë mazhorancë dhe në këtë qeverisje dhe jemi shumë të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, duke përfshirë këtu natyrisht edhe Partinë Socialiste, për të çuar përpara proceset e integrimit evropian, për të miratuar 2 ligjet dhe rregulloren, aq më tepër që ligji për Gjykatën e Lartë është shumë i rëndësishëm edhe për krijimin e Gjykatës Administrative, që kërkohet edhe nga komuniteti ynë i biznesit, nga komuniteti ndërkombëtar dhe nga investitorët e huaj. Natyrisht që koalicionet e ardhshme do të kenë në themel të tyre votën e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Meta./Indeksonline/