Tifozët e MZT qëndrojnë prapa sulmit ndaj nxënësve shqiptarë

Sipas informatave paraprake që i ka siguruar televizioni Alsat-M, pas sulmit të djeshëm ndaj nxënësve shqiptarë nga Haraçina qëndrojnë anëtarët e grupit të tifozëve ‘Family Aerodrom’, të cilët janë shoqërues të klubit të basketbollit MZT.
Edhe sot ka vazhduar marrja në pyetje e personave të dyshuar. Numri i tyre deri tani ka arritur në 30 veta. Nga policia as nuk konfirmojë dhe as nuk mohojnë këta zëra, por vetëm thonë se organet kompetente po punojnë në zbardhjen e plotë të rastit, kapjen dhe identifikimin e personave që kanë kryer sulmin ndaj nxënësve shqiptar nga Haraçina.
Nuk përjashtohet as mundësia që ky sulm të jetë pasojë e revoltës për shkak të emërimit të Talat Xhaferrit në postin e ministrit të Mbrojtjes.
Grupi i tifozëve ‘Family Aerodrom’ edhe në ndeshjen e fundit ndërkombëtare, në kuadër të ABA Ligës në Shkup, kur klubi i tyre MZT-Shkup luante kundër Igokeas, nxorën parulla kundër emërimit të Xhaferrit për ministër të Mbrojtjes, në të cilën shkruante:
“Për çka vdiqën bijtë maqedonas më 2001? I tërë parlamenti ditë të bardhë të mos shohë!!!
Sot rreth incidenteve të fundit, përfshirë edhe sulmin ndaj 13 vjeçarit Blin Shabani, ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, i cili ka kërkuar nga organet kompetente që me urgjencë të ndërmarrin masa për kapjen e fajtorëve.
“Avokati i Popullit kërkon zbardhjen e të gjitha incidenteve në territorin e Shkupit, me qëllim të mbrojtjes së të miturve të sulmuar dhe pengimin e përhapjes eventuale të kësaj dukurie të keqe. Sulmet mbi të rinjtë, por edhe manifestimi i mosdurimit mbi baza etnike shpijnë drejt ndarjeve edhe më të thella e që, nga ana tjetër, janë shkatërruese për shoqërinë tonë multietnike dhe lehtë e cenueshme, pasi të gjithë jemi të vetëdijshëm se një dhunë nxit dhunën tjetër”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit./Indeksonline/