Meta: S’do ngadalësohet liberalizimi i vizave
Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta garantoi se procesi i liberalizimit të vizave nuk do të ngadalësohet. Sipas Metës, edhe nëse do të vijnë grupe verifikimi plotësuese në Shqipëri, në asnjë rast nuk ka vend për të ngadalësuar procesin. "Ne do të mirëprisnim edhe çdo verifikim plotësues që do të ishte i nevojshëm, por kjo në çdo rast nuk do ta ngadalësonte procesin, përkundrazi do të ecte sipas atij kalendari, i cili është bërë i qartë dhe nga partnerë evropianë" tha Meta. Ai shtoi më tej se gjithçka po ecën në ritmin e duhur. Komentet e ministrit Meta u bënë pas takimit të tij me homologun sllovak Miroslav Lajcak. "Gjithçka ecën me ritmin e duhur. Natyrisht BE ka procedurat e tij, por ne jemi të bindur se janë të gjitha mundësitë duke u bazuar në progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë, konfirmime që i mora dhe nga kolegët e mi Spindelegger në Vjenë dhe Lajcak në Bratislavë dhe besoj se qytetarët shqiptarë do ta kenë mundësinë brenda këtij viti për të shijuar hapësirën shengen të BE, pa kërkuar viza nëpër ambasadat e tyre në Tiranë", shtoi Meta. Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Meta e njohu homologun sllovak me arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, dorëzimin e Pyetësorit nga Kryeministri Berisha dhe përmbushjen e standardeve për liberalizimin e vizave. "Z. Lajcak u shpreh se Shqipëria e meriton vendimin për liberalizimin e vizave, duke theksuar se ai duhet të merret shumë shpejt. Gjithashtu z. Lajcak konfirmoi mbështetjen absolute të Sllovakisë për integrimin e shpejtë të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian", thuhet në njoftimin zyrtar.