PD sulmon Ramën, Paloka: Janë bërë si qen rrugaçë
BLEDAR HOTI
Maxhoranca akuzon me tone të ashpra kreun e bashkisë, Edi Rama, për bllokimin e sheshit "Skënderbej". "Për një tekë të tij ai dje bllokoi rrugën e makinave, po për tekat e tij ai kërkon t'u prishë edhe ëndrrën shqiptareve dhe të bllokoje liberalizimin e vizave, t'u bllokojë integrimin. Për tekat e tij si aventurier, ai e çoi drejt kaosit, jo vetëm trafikun e makinave, por një vend të tërë. Më e keqja është që brenda opozitës nuk ka se kush t'i vërë fre çmendurisë së tij. Nuk mund të presësh nga ca qenie pa dinjitet, të cilëve Rama u vë lecka të zeza në fytyrë dhe i fut bilbilin në gojë që të reagojnë ndaj veprimeve të tij", tha në fjalën e tij nënkryetari i grupit të PD-së, Edi Paloka. Deputeti demokrat theksoi se "të gjithë e dini si sillen qentë rrugaçë, kur je duke ecur në rrugën tënde, të sulen prapa për të kafshuar. Kur ti u kthehesh, largohen me vrap, duke kuisur nga frika. Por ti sapo nisesh më parë të shkosh në rrugën tënde të sulen përsëri e ti je i detyruar t'u kthehesh prapë, e kështu deri sa të lodhesh dhe të mërzitesh. Dhe detyrohesh që t'u hysh me shqelma këtyre qenve. Por, shqiptarët nuk kanë më nge t'u kthehen sa herë të duhet apo të kërkojnë qentë e rrugës". Deputeti i PD-së, Flamur Noka, në diskutimin e tij u shpreh se "zoti Rama na dha edhe një provë tjetër publike se nuk ka qëllim për të rregulluar qendrën e Tiranës, por për t'u dhënë jetë interesave të klientëve të klanit të tij, që do të përfitojnë nga llokmat e kullave që do të ngrihen mbi të. Fakti që sheshi 'Skënderbej' ngjan sot më shumë si një fushë bombardimi pas beteje, fakti që qendra e Tiranës ngjan si të ishte një lagje e Kandaharit, është një akuzë e rëndë për Edvin Ramën. Ai është përgjegjës për zvarritjen disavjeçare dhe të qëllimshme të rregullimit të sheshit. Projektet e kohës së mbretit Zog I për qendrën e Tiranës, bulevardin qendror të qytetit, kompleksin ministror, 'Rrugën e Kavajës', 'Rrugën e Durrësit', 'Rrugën e Dibrës', 'Rrugën e Elbasanit' janë dhurata më e mirë e asaj kohe për kryeqytetin tonë. Ato e parashikonin zhvillimin e Tiranës deri në vitin 2000. Ndërsa projekti klientelist dhe mafioz i Edi Ramës ka rënë ende pa nisur punimet. Kaosi i djeshëm me bllokimin e trafikut i vuri vulën që Tirana qeveriset nga një i papërgjegjshëm, të cilin kemi ndërmend ta largojmë shumë shpejt, bashkë me planet e tij ogurzeza", tha Noka.