Miratohen ambasadorët e rinj, Minarolli në Austri
Komisioni i Politikës së Jashtme zhvilloi seancën dëgjimore me dy kandidatët për ambasadorë në Republikës e Greqisë dhe të Republikës së Bosnje-Hercegovinjës, Dashnor Dervishi dhe Flamur Gashi. Prezantimin e dy kandidaturave e bëri në këtë komision sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu. Për kandidaturën e Dervishit, Turdiu theksoi se është një diplomat karriere dhe ka një eksperience të madhe. Vetë Dervishi në prezantimin e tij theksoi se këtë detyrë të re e sheh si një sfidë jo vetëm për veten, por edhe për ata që e emëruan. Forcimi i marrëdhënieve me Greqinë si një partner strategjik, vëmendja ndaj realizimit i mëtejshëm i të drejtave të emigrantëve janë disa nga objektivat e punës së ambasadorit të sapopropozuar, Dervishi. Komisioni u njoh gjithashtu, edhe me kandidaturën e Flamur Gashit, i cili do të jetë ambasadori i parë shqiptar në Bosnjë-Hercevoginë. Ndërsa mësohet se Vili Minarolli pas lënies së postit si ambasador në Greqi, do të caktohet po me këtë detyrë në Austri. Ndërsa Ilir Tepelena pritet të caktohet si ambasador i Shqipërisë në Bruksel.