E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave”



Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e vlerësoi dje si një moment historik dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit të Shqipërisë në Bruksel. Sipas kryediplomatit, Shqipëria e meriton liberalizimin e vizave dhe theksoi se duhet thelluar bashkëpunimi në Kuvend dhe jashtë tij për integrimin e vendit në Bashkimit Europian. Meta i bëri thirrje opozitës të ndjekë rrugën institucionale për të zgjidhur problemet, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara. Numri dy i qeverisë, duke iu referuar dorëzimit të Pyetësorit të Shqipërisë për anëtarësim në BE, tha se me këtë veprim Shqipëria ka shënuar një hap tjetër në marrëdhëniet e saj me Komisionin Europian dhe me Bashkimin Europian. Përsa i përket ngërçit politik në vend, Meta tha se opozita duhet të ushtrojë përgjegjësitë e saj në drejtim të integrimit europian. Ai theksoi se maxhoranca ka për detyrë të ofrojë të gjitha hapësirat për opozitën në pretendimet e saj legjitime.
Vlerësimi
“Dua të shpreh kënaqësinë më të madhe për atë moment të rëndësishëm dhe historik të djeshëm në Bruksel, kur Shqipëria, përmes kryeministrit Berisha, i dorëzoi përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Europian komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle. Me këtë veprim të djeshëm, pra me dorëzimin e Pyetësorit, Shqipëria ka shënuar një hap tjetër përpara në marrëdhëniet e saj me Komisionin Europian dhe me Bashkimin Europian. Unë jam i bindur që jemi në një proces tërësisht konstruktiv dhe me këtë ritëm angazhimi të administratës sonë, por edhe të aktorëve të tjerë kompetentë në fushat e ndryshme të integrimit europian, të shoqërisë civile dhe në bashkëpunim të ngushtë si gjithmonë edhe me Komisionin Europian, në një kohë të afërt të meritojmë edhe statusin e vendit kandidat”, - është shprehur zëvendëskryeministri Meta. I pyetur nëse ngërçi politik do të ndikojë në marrjen e vendimit nga Komisioni Europian, Meta tha se e rëndësishme është se procesi i vlerësimit ka nisur dhe është një proces i pandalshëm. “Nuk mendoj se është tashmë çështje shumë e rëndësishme se në cilin muaj apo periudhë do të jepet statusi i vendit kandidat, sepse ky është një proces i pandalshëm. E rëndësishme është cilësia e procesit, sikurse u theksua, sepse cilësia sjell një proces efikas dhe të qëndrueshëm dhe në këtë drejtim mendoj se ky do të jetë prioriteti ynë; jo vetëm që ka qenë, por edhe do të jetë”, - është shprehur Meta. Ai e cilësoi si të pakuptueshëm qëndrimin e opozitës, e cila nuk ka marrë pjesë në procesin e hartimit të përgjigjeve të Pyetësorit. “Ne i ftuam edhe kur erdhi Pyetësori që ata të angazhoheshin edhe me ekspertë dhe unë besoj se vetë opozita ka mjaft ekspertë që mund të kontribuojnë, mund të ndihmojnë. Më vjen keq shpesh edhe për z. Ditmir Bushati sepse unë me atë kam bashkëpunuar vazhdimisht kur ka qenë pjesë e shoqërisë civile dhe në Komisionin Parlamentar të Integrimit Europian. Mendoj se njerëz si ai, që kanë përvojë dhe i njohin këto procese, do të ishin shumë të mirëpritur edhe në Parlament, edhe në zyrat e administratës, që të kontribuonin dhe që mos t’i kundërvihen këtij procesi, pavarësisht nga justifikimet e tyre”, - është shprehur Meta.
Liberalizimi
Përsa i përket liberalizimit të vizave, zëvendëskryeministri u shpreh se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike në të cilat bazohet ky proces dhe e meriton liberalizimin e vizave. “Për çështjen e liberalizimit të vizave mendoj se parimi ka qenë shumë i qartë dhe mbetet i qartë; i gjithë ky proces është në parim i mbështetur në plotësimin e kushteve dhe të standardeve teknike, dhe unë duhet t’ju them, sikurse e kam theksuar dhe më përpara, se Shqipëria ka bërë një progres spektakolar në plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave dhe absolutisht që Shqipëria e meriton dhe nuk besoj se dikush do të ketë paragjykime në këtë drejtim”, - është shprehur Meta. Ai gjithashtu hodhi poshtë zërat se është anashkaluar nga kryeministri Berisha në ceremoninë e dorëzimit të Pyetësorit në Bruksel. Meta tha se shumë shpejt, brenda muajit të ardhshëm, ai do të vizitojë Brukselin dhe do të ketë një axhendë shumë intensive si në drejtim të liberalizimit të vizave, ashtu dhe të diskutimit të çështjeve të tjera për integrimin europian. Zëvendëskryeministri i bëri thirrje opozitës që të reflektojë për qëndrimet e saj dhe të japë kontributin e saj në Parlament. Ai pranoi se mungesa e opozitës në Parlament ka penguar miratimin e disa ligjeve të rëndësishme për vendin.
“E vërteta është që janë disa ligje që s`kanë të bëjnë fare me qeverinë, por kanë të bëjnë me biznesin, sikurse është ligji për Gjykatën Administrative, apo me çështje të rëndësishme të drejtësisë që janë edhe në interes të opozitës. Sepse opozitës i intereson një funksionim sa më i konsoliduar i pushtetit gjyqësor dhe i reformave në fushën e drejtësisë, dhe absolutisht që mosvotimi i këtyre ligjeve që janë në interes të të gjithëve, është një përpjekje që s`mundet kurrsesi të justifikohet”, - është shprehur Meta.

Protesta në Këlcyrë, Dade: “Pushteti kërcënon për bukën e gojës”

Protestat e opozitës kanë vijuar në Këlcyrë të Përmetit, ku qytetarët e kësaj zone kanë ngritur shqetësime për varfërinë, jetesën shumë të shtrenjtë, papunësinë, e cila është thelluar, si edhe për largimet masive nga puna për shkak të politizimit të administratës lokale dhe qendrore. Ka qenë deputetja e kësaj zone, Arta Dade, e cila ka mbështetur këtë protestë. Gjatë fjalës së saj deputetja socialiste u shpreh se në këtë zonë të varfër, si demokratë dhe socialistë, vuajnë po njësoj, vuajnë rritjen e çmimeve, vuajnë papunësinë, vuajnë pasigurinë për jetën. “Prandaj ne do të protestojmë në çdo qytet, në çdo bashki, në çdo rrugë dhe nuk do tërhiqemi nga beteja jonë për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit”, tha Dade. Ajo gjithashtu theksoi se ka shumë probleme, të cilat kjo qeveri jo vetëm nuk mund t’i zgjidhë, por i ka thelluar. “Është e vërtetë dhe është fakt i pakontestueshëm që Shqipëria, por edhe Këlcyra, edhe Përmeti dhe i gjithë qarku i Gjirokastrës janë shumë herë më keq sesa ishin para 28 qershorit. Papunësia është thelluar. Ju e dini shumë mirë, edhe vetë e keni pësuar, që kush ishte komisionerë për opozitën janë hedhur në rrugë. U kanë hequr bukën e gojës edhe punonjësve të pastrimit, janë hequr punonjësit e mirëmbajtjes së rrugës, vetëm për arsye se kanë përfaqësuar opozitën. Është kjo demokracia që ne kemi luftuar dhe kemi punuar të gjithë? Është kjo demokracia që ne duam? Është për këtë arsye që ne do vazhdojmë të protestojmë, nuk do tërhiqemi nga beteja jonë për transparencën e zgjedhjeve, sepse ajo është themeli i shoqërisë demokratike. Është pikërisht ky themel që është rrënuar nga qeveria e Sali Berishës. Shqiptarët më 28 qershor nuk e votuan Sali Berishën, prandaj Sali Berisha i vodhi votat sepse e di shumë mirë që populli nuk e voton. Protestat tona, në çdo qytet, në çdo bashki, në çdo rrugë padyshim që i shkurtojnë ditët politike Sali Berishës”, - është shprehur Dade.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›