E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: S’kam marrë përsipër asnjëherë për të diskutuar mbi një formulë konkrete Ministri i Jashtëm, Ilir Meta

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shprehu sot “keqardhjen për çdo përpjekje për të keqinterpretuar angazhimin e tij pikërisht në drejtim të zëvendësimit të grevës së urisë me dialogun politik, për t`i dhënë një zgjidhje gjithë pretendimeve të opozitës bazuar në parimin e transparencës dhe të kushtetutës për sa i takon shqetësimeve të ngritura për hetimin e zgjedhjeve të fundit të bëra nga ana e saj”. “Jo vetëm që nuk kam marrë përsipër asnjëherë për të diskutuar mbi një formulë konkrete por absolutisht dua të siguroj se e kam pasur dhe e kam shumë të qartë nenin përkatës ku bëhet fjalë për administrimin e të gjithë materialeve zgjedhore, ku bëhet shumë e qartë se KQZ-ja i hap të gjitha kutitë e votimit, ku bëhet e qartë se një pjesë e tyre, sipas këtij neni, transferohet në arkivin e shtetit dhe ku bëhet po kaq e qartë se të gjitha fletët dhe kundër-fletët e votimit digjen nën monitorimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, u shpreh Meta, në një komunikim për mediat nga Ministria e Jashtme. Ai inkurajon vazhdimin e këtij dialogu që ka nisur, ndërsa shprehu besimin që janë të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë aq më tepër që për zgjidhjen e këtij dialogu janë investuar edhe drejtuesit e të dy grupeve kryesore në Parlamentin Evropian, të Popullorëve dhe të Socialistëve respektivisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›