Meta: Tani do dal me qytetarët rrugë më rrugë! Nuk mund të mbahet më peng Shqipëria!

Presidenti Ilir Meta paralajmëroi se do të dalë rrugë më rrugë për të mbrojtur qytetarët shqiptarë ndërsa bëri thirrje për të votuar masivisht më 25 prill në atë që e cilësoi referendum për Shqipërinë.
“Nuk mund të mbahet më peng Shqipëria. Përmes zgjedhjeve heqim çdo zgjedhë që na pengon të jemi qytetarë të lirë. Çdo zgjedhë që na merr pronën, portet e aeroportet. Sepse këto janë të të gjithë shqiptarëve, dhe për gjeneratën” tha zoti Meta në konferencën për shtyp të mërkurën.
I pyetur mbi vendimet e PD dhe LSI për të dalë të vetëm në zgjedhjet e 25 prillit, zoti Meta i cili është krijuesi i LSI tha: “Të dalin si të dëshirojnë. Kjo nuk është çështje e presidentit. Për mua ka rëndësi që shqiptarët të dalin në votim. I bëj thirrje të rinovojnë kartën e identitetit. Do të hapet dhe një portal në presidencë për qytetarët që u bëhet presion për zgjedhjet” tha zoti Meta.
Sipas tij 25 prilli është një ditë e madhe për Shqipërinë. “Vota është kundër oligarkisë. Për të gjithë ata që firmosin me nxitim mos harroni se ka dhe 26 prill, se ndonjë që ka kartela mjekësore do të ketë rrethana lehtësuese, por ata që nuk kartelë nuk kanë rrethana lehtësuese. Paralajmëroj të gjithë zyrtarët. Nesër nuk duhet të thotë askush nuk e dija, e më detyruan. Nuk mund të degradojë më demokracia jonë. Shqipëria ka 1 mijë probleme, por të gjitha nisin e zgjidhen me referendumin e 25 prillit. Kush bën presion tek vota, të dhunon pronën private e të bën të gjitha të zezat” tha presidenti Ilir Meta.