E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqetësimet e një obezi” jo vetëm për “të shëndoshët”

10/12/2008  Ka kërkuar dhe sjellë shumë materiale arkivore nga Televizioni Shqiptar, si dhe ka realizuar një sërë intervistash në terren. Megjithatë, filmi i ri i Pluton Vasit nuk është një dokumentar. “Një komedi dramatike” e cilëson ai vetë “Shqetësimet e një obezi”, filmin prej gati 65 minutash, që e ngre mbi një subjekt të thjeshtë dhe e ndërton me situata komike.

Në qendër është historia e një gazetari, i cili ka fituar projektin mbi realizimin e një dokumentari mbi personalitetin në Shqipëri.

Një grua, Agllaija (Mariana Kondi) gruaja e gazetarit Peçi Poro (Xhevahir Zeneli) dhe i dashuri i saj (Arben Derhemi) janë personazhet e filmit, tek i cili një peshë të rëndësishme zënë dhe personazhet e intervistuar.

Dyzimi i personalitetit të njeriut, sidomos në tranzicionin e gjatë shqiptar, jepet përmes notash plot humor.

“Gazetari gjendet përballë njerëzish me psikologji dhe mentalitete nga më të ndryshmet, që vijnë të dyzuar. Gjatë punës ai përjeton mëdyshjen se sa ai vetë është pjesë e kësaj situate. Këtë projekt e ka fituar tamam në kohën kur po përjeton një realitet tjetër me gruan e tij”, - komenton regjisori Vasi, duke shtuar se për këtë Peçi Poro mbetet deri në fund i dyzuar me alternativën: të bëhet i pasur si të mundet, apo të jetojë me profesionin e gazetarit?

Peçi kërkon të ngrejë probleme për shqetësime dhe situata të vështira në realitetin shqiptar, si: divorci, paraja, xhelozia. Ai shtron edhe pyetje të tilla, si: sa ndikon hyrja në NATO në shtimin apo uljen e numrit të divorceve? Dhe për këtë merr përgjigje shpesh nga më absurdet. Përgjigje që, gjithsesi, vijnë nga personazhe reale e që rrëfejnë realisht për situatën në Shqipëri. Ndaj dhe regjisori Vasi nuk ka sesi të mos përdorë ironinë.

“Duke punuar dhe duke pasur kontakt tërë jetën me njerëzit e medies dhe krijuesit, duke qenë përballë me këtë realitet dhe komunikim të ndërsjellë,që kanë njerëzit, vë re se gjithmonë ka një lloj ekzistencializmi, një lloj moskuptimi. Ka një barrierë në mes për t’i bërë një lloj autopsie. Kjo është arsyeja pse ndalova në këtë fenomen”, - komenton krijuesi Vasi, që nuk ngurron që kripën e filmit të tij të cilësojë arkivën. “Kuzhina ka edhe një kripë që është përdorur prej kohësh, që është arkiva e zë vend në çdo moment. Është goditur ajo që njeriu nuk është thjesht një personazh artistik. Një personazh, një njeri, një aktor nuk mund të marrë përsipër vetëm një gjë të krijuar diku me një frymëzim të dikujt. Çdo njeri, qoftë në medie, politikë, ekonomi, kam përshtypjen se duhet të jetë me këmbë në tokë.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›