Meta: Të dëgjojmë institucionet, Kolegji u zgjodh me konsensus PD-PS
TIRANË- Në mbledhjen e dytë të kryesisë pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se partia që ai drejton ka dhënë një kontribut tepër të rëndësishëm në fitoren e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Gjatë fjalës së mbajtur, Meta ka shtuar se segmente të caktuara të politikës nuk kanë arritur ende atë pjekuri, për të vënë interesat kombëtare mbi ato partiake dhe vetjake. ”Unë besoj se qytetarët kanë dhënë një mesazh shumë të fortë, shumë europianë më 8 maj duke dëshmuar qartë se ata janë larguar një herë e përgjithmonë nga alternativat e presionit të rrugës ndaj institucioneve të demokracisë. Ky mesazh mendoj që është dhënë edhe pas 8 majit ndaj atyre që u përpoqën të impononin përmes presionit të rrugës rezultatin që dëshironin duke nxitur konfrontimin me institucionet”, - tha dje Meta. Kryetari i LSI-së është përqendruar edhe në vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor, duke shtuar se ky kolegj nuk mund të shihet me dy standarde. “Nuk mund të jetë Kolegji Zgjedhor një institucion i mirë kur rrëzon Ruzhdien, sepse i intereson opozitës dhe një institucion i korruptuar kur merr një vendim të drejtë pikërisht në përputhje të plotë me kërkesën dy-vjeçare të opozitës për transparencë dhe për të numëruar çdo votë. Nuk ka pasur proces më transparent sesa ai i numërimit të votave këtë herë dhe sidomos në kryeqytet. Kjo është edhe meritë e rezultatit të ngushtë. Është gabimi më i madh t’i kundërvihesh institucioneve, thjesht sepse nuk të pëlqen rezultati. Këtë KQZ nuk e kemi krijuar ne. Kjo KQZ është produkt i konsensusit PS-PD. Dhe të gjithë anëtarët e KQZ-së pavarësisht se nga cila palë janë propozuar, janë pranuar me konsensus nga të dyja palët”, tha ai. Jo vetëm KQZ, por edhe Kolegji Zgjedhor, sipas Metës, është krijuar me konsensusin e plotë PD- PS dhe se emrat e kësaj gjykate janë emëruar po me konsensus. “Ndaj është koha që të dëgjojmë institucionet sepse qytetarin shqiptar e dëgjuam dhe e pamë më 8 maj, është koha për të vendosur një standard të ri të sjelljes politike. U humb rasti që kjo gjë të bëhej përpara zgjedhjeve dhe në fillim të këtij procesi zgjedhor, ku pati nga ata që nuk e firmosën paktin për zgjedhjet demokratike dhe me një etikë qytetare, por unë mendoj që nuk e kanë humbur rastin për t’u sjellë në mënyrë qytetare në fund të këtij procesi”, - tha ai. Meta e ktheu vëmendjen edhe te rezultatet e strukturave të LSI-së në zgjedhjet vendore. Sipas tij, jo të gjithë objektivat janë realizuar. “...kemi pasur kandidatë që në emër të koalicionit kanë fituar dhe unë i përshëndes që të gjithë ata. Kemi pasur edhe kandidatë që nuk kanë fituar, por një pjesë e mirë e tyre ka bërë një figurë të shkëlqyer. Por në çdo rast, ne nuk duhet t’ia vëmë fajin popullit, edhe atje ku nuk kemi fituar duhet të nxjerrim mësimet tona, të reflektojmë në mënyrë që në të ardhmen të kemi rezultate më të mira dhe më pozitive”, - tha ai. Meta shtoi se, rezultati i zgjedhjeve do të jetë një bazë shumë serioze për një analizë të gjendjes së strukturave të LSI-së në të gjithë vendin.
N.P