“Lëmosha” për persekutimin komunist
Historia e prindërve të saj është një dëshmi sesi ai regjim vriste jo vetëm jetë, por edhe shpresë. Pas hyrjes në burg të Gëzimit në vitet ‘70, Yrmetja u detyrua të ndahej nga ai dhe të martohej me dikë tjetër. Por vitet nuk ia zbehën ndjenjën që kishte për Gëzimin dhe do i duhej të rrinin afro 25 vite larg për ta rigjetur njëri-tjetrin në fillim të viteve ‘90. Nga kjo rilidhje ka ardhur në jetë dhe Elona, e cila sot shprehet se përherë ka pasur ëndërr një bibliotekë në shtëpinë e saj. Konkurron në universitetin maltez të Korçës, në vitin e parë gjimnaz dhe del me rezultate të shkëlqyera. E ëma, me shpërblimin si pagë trimujore për festat e fundvitit, arrin të paguajë shkollën e saj, ose gjysmën e çmimit, por koha kalon dhe vajza s’mund të vazhdonte më tej. Në pamundësi për të paguar më tej kolegjin e vajzës Yrmetja bën apel me anë të emisionit në ‘TV Klan’ që të ndihmohet. Në fakt, gjendet një lloj zgjidhjeje nga prefektja e Korçës dhe pronari i kolegjit maltez, por duket se drama fillon pikërisht në atë “show” bamirësie që bëhet në kurriz të këtyre njerëzve. Elonës 15-vjeçare, e ulur në studion e emisionit “Me shumë dashuri”, i duhej të dëgjonte llomotitjet e drejtueses sesi ky “superprogram” televiz gjendej afër njerëzve në nevojë. Por, në të njëjtën kohë, bashkë me zgjidhjen e problemit nga persona të tretë, fillon dhe dhimbja që shoqëron jo vetëm Elonën, por të gjithë ata që kanë pasur “fatin e keq” të jenë fëmijët e ish-të përndjekurve. Elona nuk duhej të kishte nevojë për ato çka jepeshin aty, as për paratë e prefektes në formë donacioni dhe as për zemërgjerësinë e pronarit të kolegjit. Më shumë se për çdo gjë Elona ka nevojë për vëmendjen e shtetit, të shoqërisë, të të gjithëve ne, sepse babait të saj të gjithë i jemi borxhlinj. Por, me sa duket, kështu nuk mendon as ministri i i reformës në arsim dhe as krerët e tjerë të shtetit. Ajo është bijë e një poeti dhe e një gruaje, e cila vuajti pasojat e atij sistemi dhe, me sa duket, po i vuan akoma. Askush nuk u kujtua të thoshte se vitet e burgut që ka bërë i ati dhe detyrimin që ka shteti për ta kompensuar dalin dhe teprojnë shumë herë për shkollimin dhe integrimin e saj. Askush nuk ia vuri gishtin fajtorit. Në radhë të parë, ajo vajzë ka nevojë për dinjitet dhe respektin e kësaj shoqërie, respekt, i cili i është nëpërkëmbur për 50 vite me radhë prindërve të saj dhe që po nëpërkëmbet dhe sot e 15 vjet, që kur ajo ka ardhur në jetë. Ajo është vajzë e një poeti, një njeriu që vuajti burgjet komuniste, që punoi në miniera, që ngriti dhe zërin në poezitë e tij, sepse ky nuk ishte vendi ku ai donte të jetonte. Askush më shumë se ai s’ka dhënë më shumë për këtë shoqëri dhe askush s’ka dhënë më shumë për këtë vend sesa Yrmetja, e cila përditë vazhdon të lajë dyshemetë e spitalit dhe të mendojë se me çfarë t’i paguajë shkollën vajzës. Qeveritë njëra pas tjetrës e paksan të vështirë të vlerësojnë një klasë shoqërore, e cila është ndër me fisniket në këtë vend. Ku është ministri i Arsimit, i cili mburret me reformat dhe stimulimin e nxënësve të shkëlqyer? Ku është ministri i Drejtësisë dhe e gjithë klasa politike që bën sikur përlotet për këtë shtresë? Sorollatjet tutje tëhu ndaj këtyre njerëzve dita-ditës po vdesin shpresat e ish-të përndjekurve të regjimit se do të marrin ndonjëherë ndonjë shpërblim, sado simbolik, për vuajtjet e tyre. Përveç dëmshpërblimit material atyre duket se po iu bëhet një dëm moral i pariparueshëm, jo vetëm për ata që vuajtën në burgjet komuniste, por edhe për bijtë e tyre. Vajza, e cila doli në atë emision, është dëshmia dhe akuza më e hidhur që na bëhet. Të përndjekurit, kjo klasë fisnike e kësaj shoqërie, kërkojnë vetëm atë çka iu takon. Asnjëherë nuk morën, ata vetëm dhanë. Njerëzit me kostume dhe me jaka të ngrira që flasin për ta duket se nuk kanë probleme shkollimi për fëmijët e tyre, ndërsa Elona 15-vjeçare duhet të falënderojë “bamirësit”, që po ia japin këtë mundësi. Dikur të atit ia hoqi regjimi të drejtën e arsimimit dhe atë të të jetuarit, sot këtë të drejtë po ia heq mundësia ekonomike dhe barrierat që janë vënë për integrimin e ish-të përndjekurve. Gëzim Medolli, poeti i burgosur, vdiq, duke pasur një brengë. Atë që nuk kishte realizuar vetë kërkonte ta shihte të mëshiruar tek e bija. Dhe si ai ka shumë. Përditë shuhet ndonjë prej tyre dhe përditë ata shohin sesi vitet e tyre të burgut dhe jeta që iu iku, u vlerësua shumë pak. E kanë të gjithë të drejtën të mendojnë se paskan qenë të dënuar të vuajnë brez pas brezi vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me atë regjim, i cili i vrau, i përndoqi dhe i burgosi. Ata dita-ditës duhet të përballen me indiferencën e shfaqur nga administrata për vuajtjet e tyre, indiferencë, e cila në radhë të parë është moskokëçarje për vuajtjet e tyre dhe kjo është shumë e rëndë. Kur komunizmi i mori për t’i plasur në burgje dhe kampe, nuk është se ndoqi shumë burokracira. Mjaftonte një polic, një palë pranga dhe një makinë për t’i transportuar, ndërsa tashmë iu duhet të sorollaten sa në një zyrë në tjetrën, të durojnë kapadaillëkun, të durojnë talljen që po iu ribëhet me vuajtjen e tyre. Dhe akoma më keq. Sot, ata duhet të shohin dhe sesi fëmijët e tyre duhet të shtrijnë duart, duke besuar te zemërgjerësia e të tjerëve, sikur kërkojnë lëmoshë. Ofendim më të madh personalitetit të kësaj klase s’mund t’i bëhet dhe Elona 15-vjeçare është dëshmia më e gjallë.