E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Videopërgjimi me regji Rama-Prifti Sulm elektoral

TIRANE- Zv kryeministri Ilir Meta akuzon kreun e Opozitës Edi Rama dhe ish- ministrin e Energjetikës Dritan Prifti si bashkëregjisorë të videopërgjimit të transmetuar të martën në mbrëmje.
Meta thotë se sulmi i "një klani të qartë mafioz" bëhet qëllimisht për të dëmtuar figurën e tij në prag të zgjedhjeve lokale, të planifikuara të zhvillohen më 8 maj.

“I mirëpres të gjitha sulmet kundër Ilir Metës, jam mësuar me to, vecse më shtojnë përgjegjësinë për tu ballafaquar me këto sulme, jo vetëm të karakterit politik dhe elektoral pasi jemi në prag të zgjedhjeve vendore dhe natyrisht të bashkisë së Tiranës..."- tha Meta në një prononcim për gazetarët pas një aktiviteti të zhvilluar sot paradite në Tiranë.

Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës përsëriti se videopërgjimi, ku ai shfaqet ne një bisedë me ish- ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti për manipulimin e një tenderi të një hidrocentrali, në favor të një kompanie private, është "i montuar". 
"Menjëherë pas fillimit të hetimeve autori i përgjimit,( i referohet deklaratës së djeshme të Priftit) pranoi se ka dërguar një kasetë të montuar duke hequr pjesët e panevojshme sipas tij, por aspak sipas së vërtetës. Qëllimi, për të manipuluar opinionin publik për të krijuar imazhe tërësisht të paqëna e të pavërteta. Kjo është sulm i një klani të qartë mafioz e kriminal që e kontrollon Rama.". deklaroi Meta.

Duke i quajtur "akuzat normale kur je një figurë politike" Meta tha se ishte i gatshëm të përballej me sulmet e hetimet e prokurorisë ndaj akuzave, prandaj dhe kishte hequr dorë nga imuniteti një herë e përgjithmonë.
 
"Unë jam Ilir Meta dhe kam treguar qartë se jam gati të perballem me ligjin dhe jo më për t'u përballur me cimka, që janë vënë në shërbim të një regjie mafioze. Këtë betejë do ta fitoj në emër të dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve."

Zv kryeministri akuzoi Ramën se ka kthyer Tiranën "në lavatrice të pastrimit të parave" dhe drejton sulmin e ngritur ndaj tij.   

“Më vjen shumë keq për ëndrrën e parealizuar të kryetarit të PS-së. Ai është bashkëregjisori së bashku me njeriun që po e drejton atë, zotin Doshi, që ka marrë në administrim edhe zotin Prifti. E gjithë kjo kundër një politikani, lideri të një partie politike. Kjo është një sfidë dhe betejë karakteresh. Unë ndihem absolutisht i privilegjuar që të mbetem i njëjti person me të njëjtin karakter, një karakter që do ta ndihmojë PS-në të shikojë më qartë se nga çfarë klani kriminal është urzurpuar dhe çfarë metodash po përdorë për të marrë pushtetin”, tha Meta.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›