Meta: Videopërgjimi, sulm elektoral

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i ekonomisë Ilir Meta i ka cilësuar si sulme të cilët kanë karakter politik dhe ekonomik dhe zhvillohen për të dëmtuar figurën e tij në prang të zgjedhjeve lokale të 8 majit video-përgjimin e shfaqur dje në media.
Gjithashtu Meta i ka cilësuar sulm të një klani të qartë mafioz publikimin e videopërgjimit por ka theksuar se do ta fitojë këtë betejë.
“Betejën do ta fitoj në emër të dinjitetit dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë, në emër të dinjitetit përballë pengmarrësve të cilët do të dalin me fytyrën e vërtetë përpara shqiptarëve”, është shprehur Meta.
Gjithashtu Meta duke e akuzuar sërish kreun e PS-së, Edi Rama, për publikimin e videos ka theksuar se Rama ka kthyer Tiranën në lavatrice të pastrimit të parave.
“Më vjen shumë keq për ëndrrën e parealizuar të kryetarit të PS-së. Ai është bashkëregjisori së bashku me njeriun që po e drejton atë, zotin Doshi, që ka marrë në administrim edhe zotin Prifti. E gjithë kjo kundër një politikani, lideri të një partie politike. Kjo është një sfidë dhe betejë karakteresh. Unë ndihem absolutisht i privilegjuar që të mbetem i njëjti person me të njëjtin karakter, një karakter që do ta ndihmojë PS-në të shikojë më qartë se nga çfarë klani kriminal është urzurpuar dhe çfarë metodash po përdorë për të marrë pushtetin”, tha Meta.