E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Votimi i Traktatit i hap rrugën zgjerimit të BE

 

ADI SHKEMBI

Tirana zyrtare përshëndet votën pro të qytetarëve irlandezë në votimin për Traktatin e Lisbonës, i cili i hap rrugën zgjerimit drejt Ballkanit Perëndimor të Bashkimit Evropian. Kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, kanë vlerësuar votimin e ditës së shtunë si një ngjarje të madhe historike për vendet anëtare të Unionit dhe ato që aspirojnë t’i bashkohen BE-së. “Kryeministri i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, përshëndet fitoren në referendum, në Irlandë, për Traktatin e Lisbonës, si një ngjarje të madhe dhe historike jo vetëm për popullin e Irlandës, por për të gjithë popujt e vendeve anëtare të BE dhe të vendeve të tjera, si Shqipëria, që aspirojnë për anëtarësimin në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer të kombeve të tyre”, thuhet në deklaratën për shtyp të kreut të qeverisë. Sipas Berishës, vota pro e qytetarëve të Irlandës është një inkurajim i madh për shqiptarët dhe qeverinë shqiptare, për të proceduar me reforma të thella dhe të gjithanshme, për arritjen e standardeve për integrimin e vendit në BE. Në të njëjtën kohë edhe kreu i diplomacisë sonë, Ilir Meta, ka vlerësuar pozitivisht miratimin e traktatit të Lisbonës në Berlin. Në një konferencë për shtyp dje në mesditë, Meta tha se ky është një lajm i mirë për Bashkimin Evropian dhe një zhvillim pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor. “Implementimi i Traktatit të Lisbonës do të sjellë një epokë të re me reformimin e thellë institucional dhe strukturor të BE-së, si dhe do të hapë një perspektivë të qartë për zgjerimin e tij të mëtejshëm”, tha kreu i diplomacisë shqiptare. Sipas tij, Shqipëria mirëpret hyrjen sa më shpejt të Traktatit në fuqi dhe është e bindur se përqasja e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë më konkrete dhe më e unifikuar, për sa i përket aspiratës së përbashkët integruese. Pas votimit pro Traktatit, Kryeministri Berisha ka uruar përmes një telegrami homologun e tij irlandez, Brian Cowen. “Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare t’ju shpreh juve dhe qeverisë suaj përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për votën plebishitare, me anë të së cilës qytetarët e Irlandës miratuan në referendum Traktatin e Lisbonës, në një demonstrim spektakolar të përkrahjes dhe mbështetjes që ata i japin procesit të reformimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të një Bashkimi Evropian gjithnjë e më solid, efikas e më pranë nevojave të qytetarit”, thuhet në këtë telegram. Sipas kreut të qeverisë shqiptare me votën e tyre të lirë, “irlandezët i dërguan një mesazh të qartë kundër euroskepticizmit, duke i dhënë një hov të ri ëndrrës dhe përpjekjeve të vendit tim, Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë për rikthim e ribashkim me familjen evropiane të vlerave të përbashkëta. Për këtë mesash shqiptarët ju mbeten përherë mirënjohës”.

Traktati, çfarë përfiton Shqipëria

Traktati është një version i shkurtuar i Kushtetutës Evropiane, ka një emër më modest dhe në të nuk përmenden simbolet e BE-së, si flamuri dhe himni. Me votimin e ditës së shtunë në Irlandë, bëhen 25 vende që kanë përfunduar këtë procedurë, ndërkohë që ngelen edhe dy të tjera. Çekia dhe Polonia, megjithëse konsiderohen si vende me një numër të madh skeptikësh për zgjerimin e Unionit, nuk pritet të shkaktojnë surpriza. Traktati i Lisbonës synon të lehtësojë procesin e vendimmarrjes, duke hequr të drejton e vetos të vendeve anëtare në rreth 50 fusha të vendimmarrjes. Ai parashikon krijimin e postit të Presidentit të BE-së dhe pritej t’i hapë rrugën zgjerimit të bllokut. Pas hyrjes së tij në fuqi pritet të ketë një perspektivë më të qartë për hyrjen në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›