Berisha uron Merkel për Bashkimin e Gjermanisë
Kryeministri Sali Berisha ka uruar dje përmes një letre Kancelaren Angela Merkel, me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë. Sipas kreut, 3 tetori i vitit 1990 shënon një çast kulmor në historinë e kombit gjerman por edhe qytetërimit evropian e mbarë njerëzimit, si dita e ndarjes nga barbaria dhe marrëzia e komunizmit, që për më shumë se një gjysmë shekulli, ndau dhe izoloi, burgosi dhe ekzekutoi, varfëroi, shtypi brutalisht, zhveshi nga liritë themelore dhe shpërfytyroi me miliona njerëz, por edhe popuj e kombe të tërë. “Ribashkimi i Gjermanisë më 3 tetor 1990 shënon triumfin e lirisë, demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut në mbarë Evropën, shënon një hap vendimtar për ribashkimin e popujve dhe kombeve evropianë, të cilët së bashku po konsolidojnë tashmë projektin më madhështor të një Evrope të vetme, të bashkuar në paqe e liri”, thekson në letër Kryeministri Berisha. “Gjej rastin t’ju dërgoj urimet e mia më të përzemërta e miqësore dhe ato të qeverisë shqiptare, edhe me rastin e 60-vjetorit të miratimit të Ligjit Themelor të Gjermanisë moderne të pasluftës, i cili ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm si pikë kyçe referimi për garantimin demokracisë, shtetit ligjor dhe lirive e të drejtave të njeriut, si edhe 20 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, simbolit më përfaqësues të paranojës komuniste të perdes së hekurt”, vijon më tej kreu i ekzekutivit.