Apeli liron në gjyq të dënuarin me shtatë vjet për trafik droge
TIRANE - Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda liron në sallën e gjyqit të dënuarin me shtatë vjet burg për akuzën e "trafikut të narkotikëve" nga Shkalla e Parë e gjyqësorit. Nandi Kaçi është i pandehuri që pas vendimit të Apelit do të lirohet nga qelitë e burgut, në të cilat ishte izoluar prej mëse një viti. Vendimi që nxori nga qelia Kaçin, u artikulua dy ditë më parë nga kryesuesi i një pesëshe gjykuese të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Gjatë shqyrtimit të dosjes në Apel, mbrojtësi i tij ligjor kërkoi pafajësi për të, ndërsa përfaqësuesi i akuzës lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda përfundoi mesditën e së premtes shqyrtimin gjyqësor të dosjes në ngarkim të të pandehurit Nandi Kaçi. Pasi u njoh me pretendimet e palëve dhe shqyrtuan dosjen në tërësi, togat e zeza të kësaj gjykate u bindën për pafajësinë e të pandehurit. Pafajësia ishte pretenduar nga i pandehuri dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Ardian Leka, në të dy shkallët e gjykimit. Në parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria kërkoi për të pandehurin Kaçi lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, vendim sipas të cilit i pandehuri duhet të vuante shtatë vjet burg. "Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendos deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Nandi Kaçi për akuzat e ngritura ndaj tij dhe urdhëron lirimin e menjëhershëm të tij", thuhej në vendimin e togave të zeza. Nandi Kaçi u prangos nga policia e Gjirokastrës në pikëkalimin kufitar të Kakavijës në prill të vitit 2008. Ai ishte një nga udhëtarët e një autobusi, brenda të cilit u gjet një sasi prej 2 kilogramë e 80 gramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa. I akuzuar se ishte ai pronari i lëndës narkotike, dosja në ngarkim të tij i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Në vijim, pas dërgimit të dosjes për gjykim, Gjykata për Krimet e Rënda vendosi për të deklarimin fajtor për akuzën e "trafikut të narkotikëve" dhe dënimin e tij me shtatë vjet heqje lirie. E njëjta masë dënimi ishte kërkuar edhe nga Prokuroria në konkluzionet përfundimtare të akuzës. Por, pas vendimit të dy ditëve më parë në Apel, Nandi Kaçi do të shijojë sërish lirinë. ar.ba