E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Zgjedhja e presidentit, prioritet i klasës politike

28-05-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së: S’është koha për retorikë negative – kushtet e PS të pranueshme pas “Presidentit”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta apelon për mbarëvajtjen e reformave dhe jo bllokim të tyre, përmes ultimatumeve në prag të zgjedhjes së Presidentit. Gjatë një deklarate për mediat kreu i LSI-së tha se presidenti duhet të zgjidhet përtej mazhorancës dhe që në raundin e parë. Kushtet e PS-së, Ilir Meta i cilësoi plotësisht të realizueshme, por më parë duhet zgjedhur Presidenti. “Dihet që janë edhe disa çështje të tjera të cilat ne i kemi theksuar për muaj të tërë, një pjesë e të cilave ishin të paraqitura edhe dje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së z. Ruçi, por ne mendojmë se për momentin në të cilin ne kemi hyrë, pas dy ditësh duhet bërë votimi i parë dhe shpresojmë i fundit, që të jetë i suksesshëm, ne mendojmë që nuk ka kohë tani për të zgjidhur disa gjëra që duhet të ishin zgjidhur para disa javësh dhe para disa muajsh. Mbarëvajtja e këtij procesi ndihmon edhe për të përshpejtuar pastaj edhe çështje të tjera sidomos ato të tria me të cilat ju jeni shumë të familjarizuar”- tha Meta. Më tej ai shtoi se në gjykimin e LSI-së, procesi i dialogut dhe negociatave duhet të ecë më shpejt në mënyrë sa më të hapur dhe konstruktive duke pasur në konsideratë se të mërkurën duhet të bëhet raundi i parë dhe në këtë aspekt duhet të arrihet zgjidhje që në raundin e parë, ndërsa vlerësoi angazhimin e partive të tjera, që duan të kontribuojnë për një zgjidhje sa më të gjerë. Përsa i takon emrave Meta nënvizoi se Shqipëria ka emra, por rëndësi të ketë vullnet për një emër që të jetë i besueshëm për qeverinë, opozitën, ndërkombëtarët dhe për institucionet.

Z. Berisha, vetëm pak minuta më parë, tha se ka një marrëveshje me LSI-në për zgjedhjen e Presidentit. Kjo do të thotë që kjo marrëveshje parashikon edhe pëlqimin tuaj të kandidatura që vjen nga radhë e PD-së dhe nëse votohet një kandidaturë e cila merr votat e të gjithë përfaqësuesve të kësaj mazhorance por jo pëlqimin e PS-së do të ishte një President konsensual?

Ne besojmë që detyra e të gjithë ne si përfaqësues të forcave parlamentare është që të zgjedhim një President me shumicë më të gjerë se sa mazhoranca qeverisëse sepse për të zgjedhur një President bazuar mbi shumicën qeverisëse është gjëja më e thjeshtë por duhet një proces i cili jep mesazhe të rëndësishme të një pjekurie të klasës politike në vend dhe të një bashkëpunimi midis mazhorancës dhe opozitës, jo thjesht për të zgjedhur një President dhe për të përzgjedhur një emër, por për të vijuar në këtë proces të rëndësishëm të reformave. Dihet që marrja e statusit kandidat nuk është stacioni i fundit i reformave, përkundrazi janë edhe shumë reforma të tjera që do të vazhdojnë për një kohë të gjatë dhe që do të përcaktojnë edhe dinamikën e negociatave apo të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Janë 5 vite shumë të çmuara, ndaj edhe neve na duhet një zgjidhje që i jep një hov të ri reformave.

Po thoni që nuk do ta votoni një kandidaturë të ardhur nga Partia Demokratike?

Nuk e kemi thënë dhe nuk e themi këtë gjë se ne jemi një forcë politike pozitive, që do të thotë se ne nuk paragjykojmë asnjë kandidat nga asnjë forcë politike por ne kuptojmë qartë thelbin e momentit politik në të cilin ndodhet vendi, të një momentumi pozitiv që nuk duhet kthyer në një moment konfliktuale, i cili ka të bëjë me përpjekjet, në radhë të parë të mazhorancës, për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme, sa më konsesuale, sa më të besueshme për të gjithë.

Z. Rama, nëpërmjet një editoriali, ka bërë thirrje për rrëzimin e kësaj qeverie me anë të një mocioni mosbesimi kundër saj. Do t’i bashkoheni edhe ju z. Meta nëse do të ketë një mocion të tillë?

Ne shprehim keqardhje për çdo retorikë konfliktuale sepse këto nuk janë investime pozitive për procesin që duhet të ndërtohet. Ndaj apelojmë edhe një herë tjetër që të mos kemi parasysh, që të mos synojmë krizën kur flasim për konsensuse sepse kjo është shumë e gabuar dhe së dyti të mos shndërrohen negociatorët në korrierë. Duhet vullnet i vendosur për të shkuar drejt zgjidhjeve dhe ka zgjidhje, e theksoj edhe një herë tjetër. Zgjidhjet ndërtohen mbi parime të shëndetshme dhe mbi kritere serioze dhe pastaj edhe emra sa më të pranueshëm të cilët nuk i mungojnë Shqipërisë. nuk i mungojnë dhe në fushën e drejtësisë, edhe në fushën e diplomacisë, edhe në fushën e politikës, dhe në fushën e shoqërisë civile, pra kemi shumë emra që mund ta bëjnë atë detyrë shumë mirë dhe që mund ta shndërrojnë institucionin e Presidencës në një pikë takimi të vazhdueshme për reformat që i duhen vendit.

Z. Meta cili do jetë qëndrimi i LSI-së lidhur me propozimin e PS për heqjen e moratoriumit të skafeve? I bashkoni ju votat me Partinë Socialiste?

Ne mirëkuptojmë çdo iniciativë dhe  nuk e paragjykojmë përfshirë dhe iniciativën që ju përmendët. Për rastin konkret na duhet të bëjmë një konsultë me ministrin e Brendshëm z. Nishani.

Z. Meta sërish te çështja e presidentit dhe tek katër pikat që ka prezantuar dje në takim  Gramoz Ruçi, është përfolur mediatikisht që këto katër pika janë diskutuar dhe në takimin që ju patët me z. Rama në Gjirin e Lalëzit, e konfirmoni një gjë të tillë?
Nuk jam këtu për të komentuar darkat private por katër çështjet janë theksuar nga LSI për një kohë të gjatë. Jo thjesht nga LSI, janë theksuar dhe nga komisionari për zgjerimin Stefan Fule në adresimin që i bëri Kuvendit të Shqipërisë, nga partnerët tanë ndërkombëtarë, nga Bashkimi Europian, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vetë përfaqësuesit e forcave kryesore parlamentare PD-PS, gjatë muajve të fundit , por çështja është se mbas dy ditësh ne duhet të shkojmë të votojmë për një emër konkret. Në këtë drejtim disa gjëra që nuk u bënë për muaj të tërë vështirë të bëhen për 48 orë pavarësisht nga vullneti ynë shumë pozitiv, të paktën i neve që jemi këtu, por edhe i të tjerëve mos t’i paragjykojmë. Kështu që do të ishte me interes të përqendroheshim tek çështja e Presidentit, pra që ditën e mërkurë të zhvillohet një seancë serioze, e përgjegjshme dhe jo thjesht të konsumohet një votim por të dilet me një zgjidhje dhe të vijojmë me shpejtësi me çështje të tjera dhe besoj që një zgjidhje e mirë pozitive, e shpejtë për çështjen e presidentit do të ndihmojë të zgjidhë dhe tre çështjet e tjera dhe shumë çështje të tjera.

Z. Meta ju deklaruat se jeni i gatshëm të përmendni dhe emra. Emri i z. Nano është një ndër to, apo është një kandidaturë e dalë jashtë loje?

Unë mendoj se jemi ende në momentin e konsolidimit të procesit po s’kemi shumë kohë. Ne jemi të hapur në çdo moment për të vendosur parimet, kriteret, dhe pastaj patjetër edhe për të shkëmbyer apo kryqëzuar emrat në kuptimin më të mirë të fjalës me të gjithë faktorët. Çdo gjë do bëhet transparente.

E shikoni seancën e të mërkurës si të dështuar për aq kohë saqë klasa politike shqiptare  nuk ka prodhuar një apo disa emra për të garuar në seancën e së të mërkurës? Cili do jetë qëndrimi i LSI për katër pikat që u paraqitën dje nga z. Ruçi ndërkohë që tre prej tyre lidhen ngushtë me integrimin që është dhe filozofia e partisë tuaj?

Për një kohë të gjatë kemi kërkuar, kemi apeluar, kemi apeluar, jemi investuar për t’i zgjidhur të tria çështjet. Aktualisht kemi dy ditë kohë për të mos humbur një mundësi për të bërë një zgjidhje që me raundin e parë për çështjen e presidentit  dhe theksoj në qoftë se kjo çështje zgjidhet në një mënyrë pozitive ditën e mërkurë, tre çështje t e tjera jam i sigurt që do zgjidhen po kështu me më lehtësi. Unë ju falënderoj shumë e do të jemi në lidhje të vazhdueshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›