Rama përdor emrin e Ruçit në fletërrufetë mediatike kundër qeverisë

“E mbush me fjalë kazani një gjysmë gazetë që herë botohet, herë zhduket”
Kryeministri tha sot në mbledhjen e grupit parlamentar se, në vend që Edi Rama t’i përgjigjej ftesës së PD për dialog me qëllim zgjedhjen e Presidentit në mënyrë konsensuale, nisi një editorial se do rrëzojë qeverinë me çdo kusht. Sipas Berishës, Rama shkoi edhe më tej kur përdori emrin e Gramoz Ruçit, në një intervistë – fletërrufe që sipas tij, gjen hapësirë në një gjysëm gazete. “Ne iu drejtuam Partisë Socialiste dhe z. Patozi i bëri një letër, një ftesë me shkrim z. Ruçi, që të takohen dhe të bisedojnë për këtë çështje themelore të vendit dhe të shqiptarëve. Për t’u takuar dhe biseduar jashtë çdo lloj paragjykimi apo tendence për ta shndërruar kandidaturën e Presidentit në një plaçkë tregu, përkundrazi, për të bërë vendin me kandidatin më dinjitoz, më përfaqësues, më të pranueshëm, më euro-atlantik në orientimet e tij. Por në vend të përgjigjes me shkrim, Edi Rama nisi editorialin e radhës, në të cilin betohet solemnisht se do të rrëzojë këtë qeveri më çdo kusht dhe se rrëzimi dhe vetëm rrëzimi i qeverisë është problemi kryesor i këtij vendi dhe i Edi Ramës, sipas tij dhe se zgjedhja e Presidentit dhe çdo gjë duhet të jetë në funksion të rrëzimit të qeverisë. Ky editorial erdhi pas një vetë – interviste që z. Rama botoi, duke i vënë emrin e Ruçit. Këtë mënyrë ai e përdor kur do të nxjerrë në media, të gjitha fjalët e kazanit. Ka blerë një gazetar të një gjysmë gazete, që herë botohet, herë zhduket, i ka dhënë atij një rrogë që të pranojë t’i japë emrin dhe kur do të vërë një maskë politike, përdor Gramozin, por këto janë punë të tyre. Në këtë vetë – intervistë që i bënte vetes, qartësonte katërçipërisht dhe tërësisht se ata nuk do të marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes së Presidentit. Megjithatë, pardje vonë njoftuan që z. Ruçi do të kthehej nga takimet që kishte dhe u fiksua takimi në orën 11:00”- tha kryeministri.