Meta: “Zgjedhjet në 96-n nuk i prishi Glover, por Sali Berisha”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, e ka cilësuar të pavend pretendimin e kryeministrit Berisha për të refuzuar ambasadoren Glover në krye të misionit të ODIHR-it, sepse ajo ka qenë vëzhguese e zgjedhjeve të vitit 1996. Meta tha se zgjedhjet e vitit 1996 nuk i prishi Glover, por Berisha, dhe për këtë arsye vendi ka nevojë për njerëz të përgjegjshëm si ambasadorja Glover, të cilët mbrojnë standardet e zgjedhjeve në Shqipëri. “Jemi njohur me faktin se kryeministri Berisha ka refuzuar përfaqësuesen e caktuar nga ODIHR-i për vëzhgimin e zgjedhjeve të 28 qershorit me argumentin se zonja në fjalë paska qenë vëzhguese gjithashtu edhe në zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996. Në fakt ky është një kundërargument për z.Berisha dhe një përforcim i argumenteve se pse kjo zonjë duhet të jetë në krye të misionit të ODIHR-it, sepse nuk e ka pasur fajin kjo zonjë në rast se kjo ka qenë vërtet në ’96-n në ekipin e ODIHR-it për atë që ka ndodhur, por përgjegjësia ka qenë nga fillimi deri në fund e presidentit të asaj kohe, z. Berisha, prandaj kemi nevojë që në krye të ODIHR-it të jenë persona të përgjegjshëm dhe të provuar në integritetin e tyre, të cilët mbrojnë standardin e zgjedhjeve të 28 qershorit”, - tha Meta.
Dade: “Qeveria nuk ka asnjë të drejtë mbi misionin e ODIHR-it”
Partia Socialiste ka reaguar e shqetësuar pas publikimit në media të lajmit, i cili bënte të ditur tentativën e qeverisë për të bllokuar emërimin e ambasadores britanike Odrei Glover në krye të misionit të ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, tha se nuk është hera e parë që qeveria krijon incidente të tilla me institucionet e rëndësishme ndërkombëtare. Sipas Dades, qeveria shqiptare
nuk ka asnjë të drejtë mbi misionin dhe ky qëndrim bie ndesh me standardet e ODIHR-it. Ajo tha se ODIHR është një mision që nuk ka lidhje as me opozitën e as me qeverinë, dhe se asnjë qeveri nuk ka të drejtë të caktojë krerët e misioneve ndërkombëtare.
Në emër të Partisë Socialiste Dade shprehu mbështetjen ndaj këtij institucioni dhe vlerësoi misionin e ODIHR-it për mbrojtjen e standardeve në procesin zgjedhor në Shqipëri.
13 Maj 2009