Ambasadorja Glover takohet me Ramën. Sot pritet takimi me Metën
Shefja e Misionit Vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri, ambasadorja Odrei Glover, ka nisur një serë takimesh me krerët e opozitës shqiptare. Kështu, ambasadorja britanike është takuar dje me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ndërkohë që sot ajo pritet të zhvillojë një takim me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Gjatë takimit me kryesocialistin Rama, ky i fundit i ka shprehur ambasadores Glover mbështetjen e Partisë Socialiste për misionin e ODIHR-it dhe në të njëjtën kohë e ka njohur atë me disa nga shqetësimet e opozitës në lidhje me procesin e ardhshëm zgjedhor. Procesi i pajisjes të votuesve shqiptarë me letërnjoftime elektronike ka qenë një nga problematikat e ngritura nga lideri i PS-së, sikundër edhe numri i madh i zyrave të aplikimeve, të cilat edhe sot mbeten të mbyllura në shumë komuna e bashki të vendit. Kreu i Misionit Vëzhgues të ODIHR-it dhe kryetari i Partisë Socialiste shprehën interesin e tyre të përbashkët për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për Shqipërinë, si një vend anëtar i NATO-s. Sot ambasadorja britanike pritet të zhvillojë një takim me kreun e LSI-së, Ilir Meta, lidhur me shqetësimet që ka LSI-ja për procesin zgjedhor, si dhe me qëndrimin e saj të vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve.
13 Maj 2009