Meta dhe Berisha, një histori manipulimesh zgjedhore
Eshtë për tu vënë në dukje se këta dy politikanë, që i kanë dëmtuar kaq shumë zgjedhjet në vendin tonë, në kurriz të njëri-tjetrit, do të përgatisin zgjedhjet e vitit 2011. Të dy kanë synim shumë të fortë që të dëmtojnë rëndë Partinë Socialiste dhe liderin e saj, Edi Rama. Janë shumë të pakta gjasat që ata të mos përdorin hiletë e vjetra për të pasur një rezultat të dëshirueshëm, për shkak se zgjedhjet lokale të atij viti do jenë një test jashtëzakonisht i rëndësishëm për ta.
Gazeta TemA boton nga sot një përmbledhje të raporteve të OSBE/ODIHR për disa nga zgjedhjet më problematike në vendin tonë. Është për tu theksuar që në krye të herës se protagonistët kryesorë në këto manipulime skandaloze, që kanë vonuar kaq shumë integrimin dhe përparimin demokratik të vendit, janë dy njerëzit që drejtojnë sot qeverinë shqiptare, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Potenciali për të bërë zgjedhje
Një nga përfundimet më të rëndësishme të raportit të ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit ishte se Shqipëria e ka të gjithë potencialin për të bërë zgjedhje brenda standardeve ndërkombëtare. Kjo ndoshta nuk është një frazë e re për shqiptarët. Por kësaj radhe kjo fjali përforcohej dhe me qëndrimin se kuadri ligjor dhe parashikimet teknike janë shumë të mira për të garantuar proces të standardeve të kërkuara.
Edhe në rekomandime pak kishte ngelur për të thënë. Që në krye theksohej se duhet vetëm vullnet politik për të bërë zgjedhje siç duhen, vullnet që në këto zgjedhje mungoi.
Tashmë qeveria ka ngelur krejt e zbuluar përkundrejt manovrave për të dëmtuar zgjedhjet në favor të fitores.
Nisja e monitorimit ndërkombëtar dhe zgjedhjet e vitit 1996
Zgjedhjet e vitit 1996 ishin zgjedhjet kur të huajt mbërritën në vendin tonë për të parë për herë të parë nga afër se si do të zhvillohen zgjedhjet në demokracinë rishtare.
Raporti është i fortë dhe gjërat janë të prera. Duket se vëzhguesit janë të qartë për ti prerë rrugën nisjes së një kalvari manipulimesh zgjedhore.
Megjithatë, zgjedhjet e vitit 1996 janë një dështim total. Gazeta sjell përmbledhjen e raportit përfundimtar të ODIHR për këto zgjedhje, ku janë përfshirë rastet e faktuara të manipulimeve zgjedhore.
Raporti nis që në fillim duke thënë se gjysma e neneve që trajtojnë procesin zgjedhor, ishin dhunuar.
Ky raport solli dhe çarjen e parë të kryeministrit, Sali Berisha, me misionin vëzhgues të zgjedhjeve, çarje që jehoi dhe në këto zgjedhje. Faktet e grumbulluara në këtë raport janë të shumta dhe mjaftojnë për secilin për të krijuar një ide se ku po shkonte presidenti i asaj kohë, dhe kush ka të drejtë në përplasjen e tij me vëzhguesit ndërkombëtarë. Ai kundërshtoi ashpër emrin e Audrey Glover, e cila do vëzhgonte zgjedhjet e vitit 2009, duke e akuzuar se kishte ndikuar, doemos në mënyrë negative, në hartimin e raportit.
Për të kuptuar se kush e kishte nisur me këmbë të mbarë këtë proces, mjafton të shihet raporti në nisje. Qeverisja e asaj kohe as nuk denjonte të takonte vëzhguesit e ODIHR, ashtu siç ndodhi në këto zgjedhje. Takimet e kërkuara shpesh anuloheshin.
Berisha, mjeshtër i lobimit, arriti që të shkëpusë dhe qëndrime pozitive për ato zgjedhje, por që nuk e shpëtuan dot nga verdikti i ndërkombëtarëve për të mos pranuar proces të manipuluar.
Më poshtë vijon raporti për këto zgjedhje.
Konkluzioni i Misionit Vëzhgues është se në shumë instanca, zbatimi i ligjit elektoral ishte i dështuar. Më specifikisht, 32 nene nga 79 që merren me periudhën parazgjedhore dhe ditën e zgjedhjeve, u dhunuan. Ato përfshijnë nenet 4, 13, 16, 19, 21, 22, 28, 29, 31, 32, 36, 37, 38, 39, 40, 44, 48, 51, 53, 56, 57, 60, 63, 64, 66, 68, 70, 71, 72, 73, 74, dhe 75.
- ODIHR ndjen keqardhje që niveli i bashkëpunimit zyrtar, që u ofrohej përfaqësuesve të saj nga autoritetet qeveritare dhe zgjedhore, ishte i kufizuar.
Takimet e kërkuara shpesh anuloheshin.
- Akreditimi i disa vëzhguesve u shty deri ditën përpara zgjedhjeve, duke shkaktuar probleme për planin e shpërndarjes.
- KQZ deklaroi se nuk ishte në gjendje që të furnizonte misionin vëzhgues me informacion të qartë në lidhje me adresat e qendrave të votimit.
- Komisioni i Verifikimit u ngrit për të rishikuar dosjet policore të periudhës komuniste për të gjithë kandidatët, sipas ligjit Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit. Komisioni rekomandoi skualifikimin e rreth 200 personave që do kandidonin për zgjedhje. Shumica e skualifikimeve u bënë në bazë të nenit 2c, në lidhje me personat e regjistruar në listën e Sigurimit të Shtetit, si informatorë. Mënyra se si u skualifikuan kandidatët potencialë bie në kundërshtim me nenin 7.5 të Dokumentit të Kopenhagës që garanton respektin e të drejtës së qytetarëve për të kërkuar poste publike ose politike pa u diskriminuar.
Gjashtë nga shtatë anëtarë të Komisionit të Verifikimit janë emëruar nga qeveria, çka ngre pikëpyetje në lidhje me paanshmërinë e Komisionit.
- Një tjetër çështje shqetësuese e ngritur nga vëzhguesit ishte se, sipas nenit 19 të Ligjit Zgjedhor, personat, përfshi këtu drejtues të rendit publik dhe shërbimit sekret, duhet të largoheshin nga detyra 25 ditë përpara ditës së zgjedhjeve, në rast se janë regjistruar si kandidatë për parlament. Personat, subjekt të këtij neni, ishin sërish aktivë në postet e tyre, pavarësisht se kandidonin.
- Presidenti është gjithashtu kandidat në listën proporcionale, çka bie në kundërshtim me ligjet.
- Lista e votuesve përmban njerëz që tashmë kanë vdekur, që nuk kanë arritur akoma 18 vjeç dhe disa herë i njëjti emër përsëritet në më shumë se një listë.
- Partitë të opozitës ndalohen në mënyrë të vazhdueshme që të mbajnë ambiente në sheshe të hapura, veçanërisht në qytete të mëdha.
Në Tiranë, partitë e opozitës kërkuan dhe iu refuzua një leje për miting në sheshin Skënderbej, aty ku partia qeverisëse u lejua të mbante mitingun e saj më 24 maj.
Shpjegimet zyrtare varionin që nga mundësia që partitë e opozitës nuk kishin mjaftueshëm mbështetës në mitingun e tyre për të justifikuar mitingun, deri te qëndrimi se ajo që do bënte partia në pushtet nuk ishte një miting politik, por një koncert, e deri te fakti se nuk ishte një tubim elektoral, por presidenti do i adresohej njerëzve.
- Me shumë pak përjashtime, vetëm posterat e partisë në pushtet ekspozoheshin publikisht gjatë fushatës. Madje dhe në ndërtesat qeveritare në qendër të Tiranës, Partia Demokratike lejohej të vendoset posterat e saj. Përveç kësaj, Partia Demokratike vendosi një baner shumë të madh në sheshin qendror Skënderbej, që qëndroi i varur deri ditën e zgjedhjeve.