Rama mbyll fushatën për Tiranën: Oferta ime dhe “zullumet” e Saliut
Tiranë- Në një miting të fundit, të ndryshëm për nga tradita e Partisë Socialiste, por edhe nga forma, Edi Rama kërkoi mandatin e katërt për Bashkinë e Tiranës. Në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, të mbushur me mbështetës të PS-së, ai hyri përkrah bashkëshortes së tij, Lindës dhe dy fëmijëve të tyre. Një skenë pa podium, e veshur anekënd me të kuqe, ishte risia e tij në fund të fushatës për Tiranën dhe Shqipërinë, ku Rama qarkullonte me mikrofon në dorë, duke folur sa për ofertën e tij për Tiranën, aq edhe për “zullumet” e rivalit të tij politik. Mbi këto dy shtylla të mesazhit të tij të fundit për qytetarët, Edi Rama ka kërkuar votat, sipas sloganit të dikurshëm “përtej së majtës e së djathtës”. Mitingu përmbyllës për fushatën e Tiranës u hap rreth orës 19:20, me prezantimin e kandidatëve për minibashkitë e Tiranës, të cilët njëri pas tjetrit bënë thirrje për të votuar ëndrrën që Edi Rama ka për Tiranën. Në “skenën” pa podium, u ngjit i pari kandidati për Bashkinë e Kamzës, Rakip Suli. “Kemi ardhur për të çliruar Bashkinë e marrë peng” - tha Suli, duke shprehur bindjen se qytetarët e Kamzës do të votojnë programin e Partisë Socialiste. Pas tij, fjalën e morën kandidatët për Bashkitë e Vorës dhe Kavajës, të ndjekur nga garuesit për minibashkitë e Tiranës. Fjalimet e tyre cekën synimin për t’ua kthyer minibashkitë qytetarëve, për të larguar pushtetin sipas tyre të korruptuar të Berishës e për të vazhduar punën e nisur me kryeqytetin e vendit. Kandidati për një mandat të katërt për Bashkinë e Tiranës u ngjit në skenë, pas paraqitjes së një videoje me pamjet filmike të kryeqytetit në tri kohë. Tirana siç ka qenë, si është sot e si pritet të jetë në të ardhmen, ka paraprirë fjalën e kryesocialistit Edi Rama, e pritur me entuziazëm e brohorima nga mbështetësit socialistë. Një fjalë përmbyllëse para ditës së heshtjes zgjedhore, që u përqendrua në ofertën e Edi Ramës për qytetarët dhe arsyet pse ata nuk duhet të votojnë atë që ai e quajti “regjimin e Sali Berishës”.
Pakti qytetar i Ramës
“E gjitha filloi me një votë dhe sot ne kemi mbërritur aty ku askush nuk guxonte të ëndërronte se mund të ishim sot. Unë ju garantoj se nesër do të mbërrijmë aty ka na çon parafytyrimi ynë, sepse asgjë nuk është e pamundur për ne. Ne jemi e vetmja rrugë”, - tha Edi Rama, me t’u ngjitur në skenën pa podium, të rrethuar nga mbështetësit e tij në pallatin “Asllan Rusi”. Ai e vuri theksin në sloganin e fushatës së tij për Tiranën dhe Shqipërinë, duke shpjeguar se kjo është rruga e njerëzve të zakonshëm, që besojnë te puna dhe ndershmëria. Rama ka përshëndetur aleatët e Partisë Socialiste, në Aleancën për të Ardhmen, me të cilët tha se është ndërtuar një front i madh qytetar dhe një angazhim për një pakt qytetar. “Një pakt qytetar për punësimin, një pakt qytetar për familjen, një pakt qytetar për ëndrrat që bëhen realitet. Pakti ynë qytetar është angazhimi ynë solemn përpara të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, për t’i hapur një luftë të paparë papunësisë, si armikun më të madh që kërcënon këtë vend, që kërcënon jetën e familjeve të zakonshme, që kërcënon të ardhmen e fëmijëve, që kërcënon qetësinë e çdo të moshuari. Që pret prej familjes së tij një solidaritet, që familja në kushtet e papunësisë nuk ia jep dot”, - tha më tej Rama, në fjalën e tij. Ai ka renditur fillimisht pikat e programit të tij për uljen e papunësisë, të tatimeve, të një administrate transparente dhe pa presione ndaj punonjësve të shtetit. “Ne jemi angazhuar për t’i bërë lehtësira të forta fiskale çdo biznesi prodhues, sepse në parafytyrojmë një atdhe që prodhon, që krijon vende pune dhe që sjell mirëqenie për çdo njërin nga ata që dëshirojnë të jetojnë me një punë të ndershme. Ne jemi angazhuar të bëjmë shtet, duke ndërtuar një administratë publike transparente dhe garantuar njëherë e mirë të drejta e çdo nëpunësi. Kurrë më presione mbi nëpunësit e shtetit”, - shtoi ai më tej. Përkrahja sociale për familjet në nevojë, është një tjetër premtim i Edi Ramës, në kuadrin e mbrojtjes së familjes shqiptare. “Asnjë taksë për të gjitha kategoritë në nevojë. 50% të qirasë për çdo familje të pastrehë që nuk ka të ardhura për të marrë një shtëpi me qira dhe kredi të arsyeshme për çdo familje të pastrehë, që mund të shlyejë kredinë në një kohë të arsyeshme dhe të ketë lirinë dhe të drejtën për të jetuar në shtëpinë e vet”, - tha ai. Rama përsëriti premtimin e tij për përgjysmimin e TVSH-së, për ushqimin bazë dhe zero për bukën, qumështin dhe vezët. “Sepse nuk mund të ketë në Shqipërinë e vitit 2011, fëmijë që nuk lagin dot buzën me qumësht, për shkak të varfërisë. E pamundur, e patolerueshme, e pafalshme”, - shtoi ai, mes ovacioneve të mbështetësve, që kishin mbushur Pallatin e Sportit. Një çek dhe një pemë për çdo bebe që lind në Tiranë dhe bursë ekselence për çdo nxënës me dhjeta, është zotimi tjetër i Edi Ramës, që garon për mandatin e katërt në krye të Bashkisë së Tiranës. “Ne do ta përmbushim këtë pakt, në harkun e 4 viteve që vijnë, sepse kjo është vetmja rrugë”, - tha ai. Edi Rama ka kërkuar dje votën ‘përtej së majtës e së djathtës”, duke pohuar se pala tjetër, ajo e Saliut, është një pushtet i kthyer në një regjim. “Pse një i papunë duhet të votojë Aleancën për të Ardhmen, Partinë Socialiste, kandidatët tanë? Sepse sot në Shqipëri janë 1 milion të papunë. 1 milion të papunë është një shifër, që dhe e vetme do të mjaftonte që kryeministri, në rast se ky vend do ta kishte një kryeministër, të kishte kërkuar falje dhe të ishte larguar njëherë e mirë, minimalisht si i paaftë për ta bërë këtë detyrë. Ndërkohë që Saliu nuk është Kryeministri i Shqipërisë, por është thjesht përfaqësuesi i një qeverie të kthyer në regjim. Një i papunë duhet të votojë për ne, sepse është e vetmja rrugë për ta gjetur një punë. Është e vetmja rrugë për të luftuar me papunësinë. Është e vetmja rrugë për t’i hapur vetes një perspektivë”, - tha Rama. Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë të lirë, sepse vota është e fshehtë dhe askush nuk mund t’ua kontrollojë. “As mos u shqetësoni fare, asnjë lloj droje, asnjë lloj meraku. Vota është e fshehtë, kërkush nuk ua kontrollon dot. Këtë ua them mjekëve, policëve, ushtarakëve, të gjithëve që Saliu kërkon t’i mbajë lidhur me bukën e gojës. Ju themi të shkoni në kutitë e votimit e votoni të lirë... U them dhe demokratëve të votojnë për të çliruar flamurin e idealeve të dhjetorit, merrjani hakun Saliut me votë. Dhe jeni të sigurt se jemi këtu për të respektuar votën tuaj” - tha Rama. Ai sulmoi kryeministrin duke thënë se: “Ka fyer qytetet me kandidatët e tij” dhe se koalicioni i Berishës është “koalicioni që turpëron Shqipërinë”. Në pjesën e fundi të fjalës së tij, lideri socialist ka stigmatizuar kandidatët e PD-së, duke e quajtur Ferdinand Xhaferrajn, “një injorant që nuk di ku është varri i Ismail Qemalit dhe që premton se do ndryshojë cilësinë e diellit”, Durim Hushin, si “një matrapaz të marrë nga oborri i Ilirit” dhe kandidatin e Korçës si një “qoftexhi”.