Edi Rama, një ekuacion me pesë të panjohura ose një EXIT për karrierën e tij
Edi Rama është në një ngërç të karrierës së tij politike. Për sa kohë që ai ende nuk ka arritur objektivin e tij politik parësor, qeverisjen e Shqipërisë, pra bërjen kryeministër karriera e tij politike është në një ngërç. Të tjerat janë detaje.
Në fakt rrugëtimi i tij politik është “sui generis”. Nga fillimi deri tani, kur i duhet nesër, më 9 maj të provojë veten në një votë të dyfishtë: para qytetarëve të Tiranës për një mandat të katërt për drejtimin e Bashkisë së Tiranës dhe para qytetarëve të gjithë Shqipërisë për të kërkuar avantazhin ndaj rivalit të tij politik, kryeministrit Sali Berisha në atë që ai vetë e quan si “referendum politik” kundër qeverisjes dhe pikënisja e zgjedhjeve të parakohshme.
“Enfant terrible” i politikës shqiptare, ose e përkthyer shqip “fëmija e tmerrshëm” i politikës shqiptare të tranzicionit, nuk po gjen dot rrugën e duhur për të arritur atë fiksacion që ka, kapjen e postit të kryeministrit të Shqipërisë, ç’ka ç’është e vërteta është fiksacioni i nevojshëm i çdokujt që futet në politikë dhe kërkon sukses.
Po pse janë ngatërruar keq punët e Edi Ramës dhe pse karriera e tij politike kërkon një rrugëdalje, një “exit” tamam si në ato kryqëzimet e ngatërruara të qarkullimit rrugor të metropoleve të mëdha, po nuk gjete rrugën e duhur mund të vish vërdallë pafund e të mos dalësh dot kurrë atje ku do.
Për të gjetur një exit për karrierën e tij politike në funksion të objektivit të vet madhor Edi Rama ka nevojë në radhë të parë të ndajë mendjen për të zgjidhur një e nga një ekuacionin me shumë të panjohura të formulës së vet politike.
Ekuacioni i parë politik i Edi Ramës i shtruar për zgjidhje është ky: a mjafton kjo infrastrukturë politikë e koalicionit të tij për të mbërritur në pushtet kur kemi një të majtë me një qendër të vetme rëndese, Partinë Socialiste, apo llogaria e votave dhe ajo e frymës politike kërkon një të majtë me më shumë se një qendër. Lufta me LSI-në dhe përpjekja për të shfarosur rivalin e tij politik brenda të majtës Ilir Metën, i kushtoi si numër dhe si frymë zgjedhjet e 29 qershorit, të cilat ai i vuri dukshëm në një bast të madh kur u bashkua me kundërshtarin e vet Sali Berishën; i fali atij Gërdecin duke i marrë në shkëmbim ndryshimet kushtetuese dhe sistemin elektoral, të cilat ishin të tilla që shfarosnin Ilir Metën dhe partitë e vogla; i pamundësonin për të vazhduar. Me gjithë çfarë ka ndodhur, gropa e votave të majta që LSI-ja dhe Ilir Meta kanë dhe që për më tepër i kanë kaluar me koalicionin kundërshtar, është me sa duket jetike për një shndërrim eventual në shumicë të së majtës shqiptare.
Ekuacioni i dytë, i shtruar për zgjidhje, si një derivat i të parit, është fakti që a do të ndërtojë Edi Rama një skuadër lidershipi të majtë, jo vetëm me marioneta të tij, por dhe me rivalë dhe figura reale politike brenda PS-së për të rikthyer traditën e PS-së me pluralitet dhe me shumë qendra mendimi, veprimi dhe pushteti. A do të vijojë Edi Rama ta mbajë PS-në si një parti monocentrike, duke atrofizuar rivalët e vet në parti, duke filluar nga Ben Blushi etj, apo do të rikrijojë një strukturë me më shumë se një qendër për të grumbulluar dhe funksionalizuar të gjithë sinergjinë e kësaj force të madhe politike dhe tradicionale.
Ekuacioni i tretë, i shtruar për zgjidhje është ndarja njëherë e mirë me ambicien për të mbajtur shumë detyra dhe funksione dhe për t’u marrë seriozisht me objektivin e tij kryesor, drejtimin e Partisë Socialiste dhe përgatitjen e alternativës opozitare për të ardhur në pushtet. Ndërsa në fazën e parë, Bashkia e Tiranës ishte një aset, një instrument për avancimin e karrierës së tij politike, edhe pse në kurriz të qeverisjes së Tiranës, tani Bashkia e Tiranës, është kthyer në pengesën e vërtetë të rrugës së tij drejt pushtetit të madh. I mbyllur në koniukturën e një pushteti të rëndësishëm siç është Bashkia e Tiranës, e quajtur edhe nga kundërshtari i tij politik Sali Berisha “shtet brenda shtetit”, Edi Rama nuk i ka duart e lira për t’u shkëptuar nga koniuktura, nga aparatet dhe nga klientela për ta avancuar standardin moral të opozitës. Kjo e bën atë të dëmtueshëm nga pikëpamja morale dhe të krahasueshëm në kostot e pushtetit me rivalin e tij në politikën qendrore Sali Berishën. Shpesh, sa herë ai tregon me gisht qeverinë, kundërshtari tregon me gisht Bashkinë dhe kështu mesazhi neutralizohet dhe për pasojë gjendja mbetet në vend.
Ekuacioni i katërt, i shtruar për zgjidhje është paqëtimi dhe rakordimi me interesat dhe frymën e shumë aktorëve të shoqërisë shqiptare, që edhe pse nuk janë mirëfilli politikë, ka një influencë të madhe në shoqëri dhe në politikë. Kështu, në qasjen e tij për ta gjetur shkakun për faktin pse opozita është ende në opozitë, ai akuzon, shan, etiketon, kërcënon shumë aktorë dhe grupe shoqërore; medien, analistët, universitetet private, intelektualët, biznesin etj, të cilëve ai dhe zagarët e tij lart e poshtë në media i vënë emra apo etiketime të tipit “të shitur, shërbëtorë të pushtetit, oborri i pushtetit, intelektualët e Saliut, fabrika diplomash etj”. E gjithë kjo frymë konflikti, jo thjesht me kundërshtarin politik, por dhe me pjesë të tjera të shoqërisë e bëjnë Edi Ramën shumë të diskutueshëm për pjesën gri të pushtetit. Pa një një paqëtim me këto pjesë të shoqërisë zor se ndonjë opozitë bëhet shumicë. Mjaft të shohim fatin e djeshëm në opozitë të Sali Berishës për të vërtetuar këtë. Pa u paqëtuar më shoqërinë Sali Berisha nuk krijoi dot shanse për pushtet.
Ekuacioni i pestë, i shtruar për zgjidhje për Edi Ramën është marrëdhënia e tij me ndërkombëtarët. Kjo e fundit dihet tashmë ndërkombëtarisht dhe publikisht që është një marrëdhënie që nuk shkon, që ngec, një marrëdhënie me probleme. Komuniteti ndërkombëtar ka kodet dhe interesat e veta në Shqipëri dhe akuzimi i tij si një “mbështetës i qeverisë” apo aq më tepër “mbështetës të Berishës”, të blerë apo të shitur, është një naivitet politik. Do të ishte gjysma e së keqes sikur marrëdhënia e Ramës me ndërkombëtarët të ishte një marrëdhënie prej sovranisti apo prej njeriu që kërkon që shqiptarët të vendosin vetë. Kjo marrëdhënie e tij sot me ndërkombëtarët është defektoze për shkak të tipit të tij si individ dhe të qenit të tij “apolitik” lidhur me raportet që një lider kryesor duhet të ketë me ndërkombëtarët. Refuzimi i tij në shkallë të gjerë nga aktorët ndërkombëtarë me rëndësi në vendimmarrjen për Shqipërinë është një prej handikapëve në rrugëtimin e tij drejt objektivit të vet politik.
Të gjitha këto së bashku, e bëjnë çështjen e karrierës së Edi Ramës një ekuacion në fuqinë e pestë. Ekuacion i vështirë, por jo i pazgjidhshëm. Mjaft të kihet vullneti dhe koha e duhur për t’i zgjidhur një e nga një këto çështje, duke lëshuar nga pushteti personal dhe egoja politike në favor të interesit publik dhe integrimit të interesave të shumë aktorëve që e bëjnë shoqërinë dhe politikën. Kaq e thjeshtë dhe komplikuar njëkohësisht është çështja e karrierës së Edi Ramës, mungesa e një “exit”-i, i cili është shkaku i vërtetë i ngërçit politik ku gjendet Shqipëria prej 2 a 3 vjetësh.