E Diel, 1 Nëntor 2026

" Nuk do kem ngurim t'i shtrij dorën kujtdo në interes të qytetarëve"

Sa rrezikohet të kemi një Këshill Bashkiak fasadë?

Unë do të jem bindës, në kërkesën për konsensus në Këshillin Bashkiak. Do kërkoj të bashkëpunoj në shërbim të interesave të qytetarëve të Tiranës.

Kemi një eksperiencë të kaluar, se si këshilltarët e shndërrojnë në betejë politike, qoftë edhe një çështje...

Çdo këshilltar që ka në zemër interesat e qytetit të Tiranës, do të dojë të bashkëpunojë me mua, për hir të qytetarëve të Tiranës dhe në të mirë të projekteve. Bashkëpunimi nuk do të zhvillohet në dhoma të mbyllura, por krejtësisht i hapur.

Kur mund t’i shohim rezultatet direkte në raport me përmirësimin e nivelit të ndotjes?

Do fillojmë me ndërtimin e impiantit të pastrimit, kolektorëve të ujërave të zeza, që ky problem të marrë zgjidhje. Na duhet urgjentisht të ecim përpara, me strategjinë e mbetjeve urbane. Së pari, shpërndarje e drejtë e kontenierëve në të gjithë qytetin, pasi taksat paguhen kudo njësoj. Do nisim një projekt që sot aplikohet në Lezhë, të trajtimit të diferencuar të mbetjeve të riciklueshme. Qytetarët nuk do paguajnë më shumë sesa paguajnë sot, por do të kenë shërbimet më të mira sesa sot.

Nëse do zgjidheni në krye të Bashkisë së Tiranës, cili do jetë modeli juaj për xhaminë, një çështje e debatueshme?

Çështja e xhamisë është një çështje e prekshme për komunitetin dhe qytetin në përgjithësi. Kjo çështje është evidentuar për vite me radhë nga të gjitha instancat. Jam i vendosur të ecë përpara në projektin e ndërtimit, jo vetëm të xhamisë, por për përmbushjen e nevojave të tyre. Toka e namazgjasë dhe ndërtimi i xhamisë në këtë tokë do të jetë vendim i përbashkët, që do të merret në bashkëpunim mes komunitetit dhe bashkisë. Do të respektojmë parametrat urbanistik dhe nëse cenohet, qoftë edhe një centimetër gjelbërim, do të kompensohet me gjelbërim njësoj rreth ambientit. Në rastin e çdo zhvillimi, vendimmarrja do të jetë sëbashku.

Referendum popullor?

Për planin urbanistik po. Përgatitja e tij do të jetë transparente. Komuniteti mysliman do të ketë zërin dhe rolin e tij, në ato vendime që kanë të bëjnë me institucionet e kultit.

Nëse fitoni duke eliminuar epërsinë e kandidatit të Partisë Socialiste, a do t’i konsideroni votat e reja si personale apo të koalicionit?

Do ta konsideroj si një votë për një angazhim të ri qytetar për Tiranën. Një angazhim që në thelb ka më pak politizim dhe më shumë punë. Një përqasje që i ikën grindjeve politike dhe ka në thelb angazhimin qytetar për problemet e qytetit.

Si do arrini të bëni uljen e taksave z.Basha? Së dyti, premtohet ndërtim parqesh e lulishtes apo tramvaj. Ku do i gjeni fondet për këto investime?

Së pari, dua të jem i qartë se besoj që sistemi fiskal bashkiak është rëndesë për biznesin e vogël. Me numrin e madh të taksave dhe mënyrën jo transparente të përdorimit, apo te gjobat e pajustifikuara e mungesën e shërbimeve. Ndaj është e nevojshme për një reformë të thellë, duke hequr 65 taksa e tarifa dhe ato që mbeten do të thjeshtohen. Taksa e gjelbërimit do të hiqet, e tabelës do të hiqet, ndërsa e pastrimit do të ulet. Me këtë reformë fiskale, do t’i kthejmë biznesit të vogël 40-60 mijë lekë të reja. Imagjinoni se çfarë mund të bëjë biznesi me kaq para në një vit, që ti ketë sërish në xhep. Ky është një stimul i fortë fiskal, me vlerë 10 milionë euro dhe thënë ndryshe, 4 mijë vende të reja pune deri në fund të dhjetorit. Sa i takon pjesës së dytë të pyetjes, Tirana është rritur me afro 30 mijë banorë në vit e vazhdon të rritet. Është qyteti më i madh shqiptar, me mbi 600 mijë banorë dhe shifrat flasin edhe mbi 750 mijë banorë. Vëmendja ndaj qytetarit të Tiranës duhet të jetë më e madhe se ndaj çdo qytetari tjetër. Buxheti do kompletohet: buxhet bashkiak, buxhet i qeverisë, buxhet rajonal dhe partneritet me biznesin privat. Bashkimi i këtyre energjive dhe shumëfishimi i tyre është çelësi për të ecur përpara. Shifra totale e të gjitha projekteve të marra sëbashku, nuk është më e madhe sesa një vepër infrastrukturore, që ndërtuam e që ishte rruga Durrës-Kukës.

Ju dhe z. Rama keni dhënë shumë premtime. Është bërë traditë që jepen premtime e nuk mbahen. Pse u duhet besuar juve?

Më vjen mirë që pyetja vjen nga një student. Kjo tregon ndërgjegjësimin tuaj dhe është ky ndërgjegjësim që sjell rritje përfaqësimi. Po, jam njeri që kam dhënë premtime. Çdo premtim që kam dhënë deri më sot, e kam mbajtur: rruga Durrës-Kukës, liberalizimi i vizave, projektet për sigurinë publike. I kam mbajtur premtimet dhe pa shkelur as afatet. Para gjashtë javësh premtova se do shkoja në 11 minibashkitë e kryeqytetit dhe kam shkuar së paku katër herë në secilën prej tyre. Jam njeri i premtimeve të mbajtura dhe nuk kam ndërmend ta shkel këtë rekord.

Në këto 20 vite, politika ka qenë arenë betejash për pushtetin. Pse ne duhet t’ju votojmë si diçka ndryshe?

Jam dakord me konstatimin tuaj. Lufta e sherret politike, jo vetëm që nuk kanë prodhuar asgjë të mirë, por kanë mbajtur peng zhvillimin. Unaza e madhe është një shembull ku kandidati tjetër ka preferuar ta stopojë projektin, para se të bashkëpunojë me kundërshtarin. Unë nuk do kem ngurim t’i shtrijë dorën kujtdo në interes të qytetarëve. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur një përqasje të domosdoshme përballë qytetarëve.

Çfarë politikash do zbatohen për biznesin, përveç asaj fiskale?

Në mënyrë që ne të realizojmë axhendën tonë ambicioze për gjenerimin e vendeve të punës, në qendër do të kemi biznesin dhe investimet. Sot Tiranës i ikin investimet komerciale, universitetet jo publike, të cilat zhvendosen në komunat përreth. Çdo investim te biznesi është investim te komuniteti. Investimet në infrastrukturë dhe vendosja në hartën urbanistike e një hapësirë të mjaftueshme për biznesin. Së dyti, një sistem ku kushdo që punëson mbi 50 persona, do të ketë favorizim fiskal.

Keni premtuar ndërtimin e unazës së madhe, ndërsa kundërshtari juaj tha se projekti prek një pjesë të Parkut Botanik. Nëse e vlerësoni këtë argument, a keni një zgjidhje për ndërtimin e saj? Së dyti, në Tiranë ka jo mjaftueshëm parkingje publike, nëse keni një projekt të qartë, kur dhe ku do bëhen ato?

Unaza e madhe do të ndërtohet dhe asgjë nuk do ta pengojë më. Ky projekt i marrë peng nga konflikti politik dhe ka ngjyrosur politikisht edhe problemin e Kopshtit Botanik. Unaza e madhe është domosdoshmëri dhe kush voton për mua më 8 maj, duhet ta dijë se do ta bëj sa më shpejt. Sa i takon parkimit, zgjidhja janë parkingjet e mëdha nën dhe mbitokësore. Do të ecet fuqimisht me planin e ri urbanistik. Ka disa vlera të akumuluara, por këto projekte do t’i nënshtrohen rishikimit total të planit urbanistik dhe rifikimi i hapësirave publike, përmes një koncepti të ri. Në shkurtin e vitit që vjen, do të paraqitet për stadet e miratimit plani i ri urbanistik, i cili mund t’i nënshtrohet më pas edhe dhënies së mendimit nga qytetarët.

Thuhet se lideri lind dhe pastaj edhe bëhet. Ju keni gëzuar disa poste ministrore. Çfarë e shtyn një njeri që ka marrë kaq shumë adrenalinë nga këto poste të mëparshme, të tentojë Kryetarin e Bashkisë. Detyrë e dhënë apo e ndjerë?

Të dyja, sigurisht. Vetëm racionale nuk mund të ishte pasi është vendim shumë i madh. Ky është qyteti ku unë kam lindur dhe unë kam ndjerë për këtë qytet. Kam pasur të gjitha përvojat e mia në këtë qytet dhe unë si çdo qytetar kam një jetë me këtë qytet. Çfarëdo që të bësh nga qeverisja qendrore, është më larg sesa të jesh direkt në qytet. Këtu ka pasur një aspekt të vogël jo racional, por gjatë fushatës është balancuar edhe ky aspekt. Sa më shumë kam lëvizur nëpër Tiranë, aq më shumë më është rritur dëshira ime për qytetin dhe për t’ju gjendur pranë qytetarëve.

Është sfidë më e madhe sesa të qënit ministër?

Nuk e kam parë veten të lidhur me një post, por me një sfidë. Kur isha ministër Transportesh, kisha sfidën Durrës-Kukës e më pas kur isha ministër i Jashtëm apo ministër i Brendshëm. Kanë qenë sfidat, ato që kanë karakterizuar orët dhe ditët e mia.

Si do të bëhet për firmat që shtrojnë rrugët dhe ju prishen brenda gjashtë muajve?

Përgjigja është e thjeshtë, pasi ka ligje për këtë çështje. Por është edhe jo e thjeshtë, pasi qëllon që ligji zbatohet ose nuk zbatohet. Çelësi është transparenca e plotë e shpenzimeve bashkiake. Standardi që unë synoj dhe do të arrij, është që ju çdo ditë të keni akses në internet, ku do të shikoni ditë për ditë sa lekë harxhon Bashkia e Tiranës.

Çfarë do të bëhet me projektin te pishinat?

Për çdo vendim që cenon çdo centimetër katror hapësirë publike, do të ketë moratorium.

Do të ketë ndërtesa 35 kate?

Do ç’bëj çdo vendim, përfshirë edhe atë që përmendët e që cenon hapësirat publike të Tiranës.

A mendoni se mandati katër vjeçar ju mjafton për të konkretizuar vizionin tuaj?

Jo, do të duheshin dy, tre apo katër mandate. Por ama puna do të nisë që në ditët e para, pasi sot kemi humbur rrugën dhe qyteti çdo ditë po humb e nuk po fiton. Duhet të përparojmë shumë shpejt dhe unë kam vendosur afate të qarta, të cilat do të përmbahen. Do tu kërkoj të më masni mbi objektivat dhe afatet që kam shpallur.

Çfarë programi keni për pensionistët?

Është çështja e një detyrimi, respekti dhe mirënjohjeje, që duhet të tregojmë ndaj prindërve tanë. Duhet të vendosim sot trajtimin e tyre në pozita më të mira. Unë jam i vendosur të themeloj qendrat sociale, për moshën e tretë në të gjitha minibashkitë. Ato do kenë kapacitete ditore e disa prej tyre edhe shtretër. Do të ofrojnë mjekim falas për të gjithë ata që do të shkojnë aty e do ofrojnë edhe shtyp falas, apo që ju ta kaloni kohën sa më denjësisht. Ky do të jetë një zë i veçantë në buxhet dhe i kontrolluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›