Meta heq dorë nga pavlefshmëria e hetimit: Jo mbyllje për procedurë
Tiranë Ish-zv.kryeministri Ilir Meta ka hequr dorë nga kërkesa për pavlefshmëri të hetimit të prokurorisë, të dosjes penale në ngarkim të tij, që po shqyrtohet aktualisht nga Gjykata e Lartë. Nëpërmjet një memoje, dorëzuar në këtë gjykatë, dy avokatët e z.Meta kërkojnë të heqin dorë nga kjo kërkesë, me dëshirën e të mbrojturit prej tyre. Kjo tërheqje vjen një javë para vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila do të shprehet për të gjitha kërkesat që mbrojtësit e ish-zv.kryeminsitrit depozituan, duke evidentuar, sipas tyre, një sërë shkeljesh në hetimet e prokurorisë. Sipas memos që u shpërnda nga zyra e shtypit të LSI-së, avokatët e Metës thonë se heqja dorë nga një prej kërkesave më të rëndësishme, siç ishte ajo pushimit të çështjes, pasi hetimet janë kryer jashtë afateve ka ardhur me kërkesë të të mbrojturit prej tyre. “Të detyruar nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej nesh, zotit Ilir Meta, deklarojmë se heqim dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake, e konkretisht nga deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet”- thuhet në memon e avokatëve mbrojtës. Sipas tyre, ky proces gjyqësor nuk duhet të mbyllet për procedurë, por duhet të jetë i plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm nxjerrjen e së vërtetës, por edhe certifikimin e saj. “Me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta, për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm procedurialisht”- shprehen avokatët e ish-zv.kryeministrit. Por në memo, ata nuk lënë pa akuzuar Prokurorinë e Përgjithshme, të cilën e konsiderojnë si të papërgjegjshme në hetimin e kësaj çështje. “Regjistrimi pa emër i kësaj çështjeje, në regjistrin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm prej një kohe të gjatë, e çmojmë të nevojshëm për të konstatuar papërgjegjshmërinë hetimore të organit të prokurorisë dhe provuar njëanshmërinë ekstreme të tij”- thuhet në memon e depozituar në Gjykatën e Lartë. Më tej avokatët shprehen se sa u takon kërkesave të tjera për papërdorshmërinë e akteve të ekspertimit, dëshmitë e marra në kundërshtim me ligjin si dhe provat materiale të marra në të njëjtën formë, ato vazhdojnë të mbeten në fuqi. Për të tria këto kërkesa, kolegji penal që po shqyrton çështjen pritet të shprehet më 11 korrik, kur është caktuar seanca e ardhshme për këtë proces gjyqësor. Nëse gjykata do të pranojë kërkesat e avokatëve mbrojtës, atëherë shpallen të papërdorshme të gjitha provat kryesore të prokurorisë, çka automatikisht mund ta kthej në nul këtë proces gjyqësor. Ish-zv.kryeministri Ilir Meta akuzohet nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë, hetim ky i nisur pas publikimit të video-përgjimit të regjistruar nga Dritan Prifti.