E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufoma e gjallë e Leon Tolstoit

Periudha e hartimit të dramës qe thuajse krejt viti 1900. Drama e konsideruar nga autori si “pasqyrë dhe rezonancë idesh”, përbënte një pretencë të ashpër ndaj institucioneve politike e fetare, ndaj shoqërisë së kohës; pretencë që për më tepër mbështetej nga një antihero, pijanec e i shthurur si Fedja. Prandaj polemikat qenë të ashpra, madje u kërkua të ndalohej edhe shfaqja e dramës, e cila në periudhën 1 janar–5 tetor 1912 u përsërit plot 9000 herë në 243 teatro të Rusisë. Ngjarja iu tregua Tolstoit më 1897 nga N.V. Davidov, kryetar i gjykatës në Moskë. Znj. N. P. Gimev, e ndarë nga i shoqi prej vitesh, donte të martohej përsëri. Por kisha ishte kundër divorcit dhe burri i saj N. S. Gimev, kishte bërë si i vdekur për ta liruar të shoqen nga betimi i martesës. Por gënjeshtra ishte zbuluar dhe të dy u dënuan me internim në Siberi, ku, pas një viti heqje lirie, iu fal dënimi të dyve. Problemi që i shqetësoi e mundoi lexuesit, spektatorët, kritikët dhe mbështetësit e arsimit tolstojan qe kontradikta ndërmjet ideve të shprehura në dramë dhe koncepteve religjioze e filozofike, të mbrojtura shpesh nga Tolstoi. Vetë Tolstoi deklaron se “Në veprat ‘Sonata e Kreutzerit’, ‘Fuqia e errësirës’, ‘Ringjallja’, apo ‘Kufoma e gjallë’ nuk kam paraqitur ndonjë qëllim didaktik apo instruktiv, por kam ndjekur emocionin artistik”. Ndërsa për karakterin e Fedjas shprehej se “Është një tip i çiltër e i vërtetë rus. Është pijanec e i shthurur, por në të njëjtën kohë ka një shpirt të shkëlqyer.” E, kriza familjare e Fedjas i ngjan edhe krizës familjare të Tolstoit, që ndodhte pikërisht në periudhën kur ai ideoi e shkroi “Kufomën e gjallë”. Më 21 gusht 1900 Tolstoi shkruante në Ditarin e tij: “Është i çuditshëm pozicioni im në familje. Ndoshta dhe më duan, por unë nuk jam i nevojshëm, madje jam një pengesë për ta.” Ndërkohë që personazhi i krijuar prej tij (Fedja) u thotë spektatorëve për veten e tij: “Unë jam një maskara… Kam qenë një burrë i keq… Kam bërë një jetë të shthurur që prej 10 vjetësh… Kam provuar të punoj, por më ka shkuar keq… Jam i pakënaqur nga gjithçka… ǒështë jeta ime? Jam i mbaruar e nuk shërbej për asgjë. Jam një njeri që rëndon mbi të gjithë e mbi vetveten… Jam i mirë për asgjë.” Tolstoi pranoi dhe lutjen për të mos e botuar veprën, lutje që iu drejtua nga djali i gruas mbi të cilën rëndoi ngjarja gjyqësore. Ndoshta kjo qe një ndjesë komode “për të braktisur dramën”, e cila nuk u botua sa ishte Tolstoi gjallë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›