E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serveri i kamerave të Kryeministrisë shkon në ShBA

Prokuroria dërgon për ekspertim të detajuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës serverin e pamjeve të filmuara nga Kryeministria

Tiranë Serveri i kamerave të Kryeministrisë ka udhëtuar pak ditë më parë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do t’i nënshtrohet një ekspertize të detajuar. Pamjet e demonstratës së 21 Janarit dhe gardistëve që dyshohet se kanë qëlluar atë ditë, sipas hetuesve, dyshohet se janë në serverin e formatuar të Kryeministrisë. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se prokurori dhe ekspertët amerikanë që asistojnë grupin shqiptar të hetimit kanë pranuar të marrin serverin dhe ta ekspertojnë atë. Pak ditë më parë, Prokuroria ka dërguar një letërporosi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me anën e së cilës kërkon asistencë teknike, si dhe pajisjen akumuluese të të gjitha regjistrimeve që kryejnë kamerat përreth Këshillit të Ministrave. Serveri në fjalë pritet t’i nënshtrohet një ekspertimi të detajuar teknik në laboratorin e Byrosë Federale të Hetimit (FBI), pasi dyshohet se ruan të dhëna të rëndësishme për ngjarjet e 21 Janarit. Këto dyshime, sipas prokurorisë, përforcohen akoma më shumë pas disa pamjeve që hetuesit kanë marrë në dorë dhe që kanë si burim pikërisht kamerat e vendosura përreth Kryeministrisë. Këto pamje, sipas burimeve, janë regjistruar pas orës 18:00 të datës 21 janar, pra pas vrasjes së katër demonstruesve dhe plagosjes së 7 të tjerëve. Për pamjet e regjistruara deri në orën 18:00 nuk ka asnjë informacion edhe pse ato teorikisht duhet të gjendeshin në serverin e Kryeministrisë, i cili mbledh regjistrimet e të gjitha kamerave. Mungesa e regjistrimeve para orës 18:00 është sqaruar në prokurori nga punonjësit e ngarkuar për mbikëqyrjen e serverit dhe mjeteve të tjera teknike, të cilët kanë deklaruar se në kamerat nuk ekziston asnjë regjistrim tjetër për datën 21 Janar, pasi kamerat nuk kanë funksionuar. Por duke qenë se ky server është riformatuar, prokuroria ka kërkuar ndihmën e ekspertëve të FBI-së për të bërë të mundur rikthimin e të dhënave. Fshirja e tyre është konfirmuar edhe nga një raport ekspertimi i Institutit të Policisë Shkencore. Grupi hetimor, i ngritur për hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit mendon se pamjet e kamerave të Kryeministrisë janë një ndihmesë e madhe për zbardhjen e asaj që ka ndodhur realisht ditën e demonstratës së opozitës. Kamerat kanë qenë sipër grupeve të gardistëve të caktuar me shërbim dhe sipas hetuesve duhet të kenë filmuar gjithçka ka ndodhur brenda rrethimit të Kryeministrisë. Për këtë arsye, prokuroria shqiptare ka vendosur të kërkojë ndihmën e autoriteteve të SHBA-ve, të cilat nëpërmjet ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, garantuan mbështetjen me asistencë teknike dhe gjithçka tjetër që do të ishte e nevojshme për hetimin e ngjarjeve të 21 Janarit. Bashkë me serverin, i cili tashmë është duke iu nënshtruar ekspertimit në laboratorin e FBI-së, prokuroria pritet të dërgojë drejt ShBA-ve edhe të paktën 8 predha që dyshohet se janë qitur nga armët e gardistëve të caktuar me shërbim përreth Kryeministrisë ditën e ngjarjes. Të gjitha këto predha, përfshi edhe ato të gjetura në trupin e Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës janë cilësuar nga laboratori i kriminalistikës si të paidentifikueshme. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›