E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta i jep zonën industriale të Durrësit personazhit të video-përgjimit. Humbet Kurumi me ofertë më të mirë

Ilir Meta ka diktuar fituesin e garës koncesionare të zhvilluar për ndërtimin e një zone industriale në Durrës. Njeriu që ka fituar të drejtën për të zhvilluar zonën industriale në Durrës është një tjetër protagonist kryesor i videoskandalit Meta-Prifti, me inicialet B.H.

Miku i ngushtë i Metës me iniciale B.H, fshihet pas kompanive që janë shpallur fituese të garës koncesioneve për zonën industriale në Durrës. Ai do të marrë për 35 vjet disa hektarë tokë në Durrës, tokë të cilën qeveria do tia lërë në dispozicion.

Shpallja e fituesit nga Ministria e Ekonomisë është bërë menjëherë pasi Meta shkarkoi Nasip Naçon, duke e zëvendësuar me Edmond Haxhinasto. Burime në METE bëjnë me dije se ish-ministri Nasip Naço nuk ka pranuar urdhërin e Metës për të favorizuar një kompaninë e mikut të tij në garën koncesionare, çka ka sjell edhe zemërimin e kreut të LSI, i quajtur ndryshe “babai i korrupsionit”.

Në këto kushte, Meta ka planifikuar shkarkimin e Naços dhe zëvendësimin e tij me një besnik, që i zbaton porositë pa bërë rezistencë, siç është Haxhinasto
Pas largimit të Naços, fituese është shpallur kompania e diktuara nga Meta.

“Ministria Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës lajmëron bashkimin e përkohshëm të shoqërive.

Oferta e paraqitur më datë 6.04.2012 për marrjen me koncesion të statusit të zhvilluesit të zonës ekonomike me statusin Park industrial në Rrashbull, Durrës, është pranuar. Ofertuesi, kërkohet të paraqesë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, brenda 30 ditëve, dokumentet e mëposhtme; Kopjen e vënies në dijeni për formularin e kushteve të përgjithshme dhe të veçanta të kontratës koncensionare të nënshkruar. Sigurimin e kontratës sipas formës kërkuar në aneksin VII-4 të DSPK.

Dokumentin bankar që vërteton pagesën e kryer për shpenzimet e publikimit në shumë e përcaktuar sipas shkresës bashkëlidhur. Kjo pagesë do të kryhet para fillimit të negociatave. Në rast se tërhiqeni nga lidhja e kontratës duhet të njoftoni me shkrim, thuhet në njoftim.

Në garë kanë marrë pjesë edhe kompania Ylberi sh.p.k dhe Kurum, të cilat janë ankuar tek Avokati i Prokurimeve për skualifikim të paligjshëm. Kompania Kurum, i cili kishte dhënë edhe ofertën më të mirë, ishte planifikuar të shpallej fituese, por gjithçka është përmbysur me ndërhyrjen e Metës.

Historia e 6 parqeve industrial

Qeveria vendosi të ndërtojë gjashtë parqe industriale, të cilat do të shërbejnë për ngritjen e industrive të mëdha përpunuese dhe aktivitete të tjera të biznesit. Miratimi për ngritjen e tyre i hap rrugë rritjes së investimeve dhe numrit të të punësuarve, ecuria e të cilave varet nga strategjia që do të ndjekin shoqëritë e mëdha tregtare. Këto të fundit, nëpërmjet tenderit të hapur ndërkombëtar, do të marrin me koncesion për 35 vjet sipërfaqet e lira që qeveria do tu lërë në dispozicion. Me vendimin e fundit qeveria i ka hapur rrugë zhvillimit industrial të vendit, pasi ndërtimi i këtyre parqeve kërkon qindra milionë lekë investime, të cilat duhen kryer fillimisht nga pala jonë. Kështu ndërtimi i parqeve industriale po kthehet në një burim korrupsioni, pasi fituesit nuk diktohen nga oferta dhe ligji.

Roli i ministrit

Ministria e Ekonomisë, në rolin e mbikëqyrëses së zhvillimit të zonave ekonomike, bën përzgjedhjet e zhvilluesit të zonave industriale përmes procedurave të përcaktuara me afate kohore dhe me procedurat e garës. Kriteret kryesore lidhen me rëndësinë, prioritetin ekonomik, vlerën e investimit, futjen e teknologjisë së përparuar, nivelin e punësimit, shpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe kapitaleve dhe të tjerë tregues specifikë etj. Çdo propozim shqyrtohej nga një komision për vlerësimin e ofertave, që miratohet nga ministri i Ekonomisë, i cili ka në përbërje, përfaqësues të ministrisë së Ekonomisë, të Financave, nga ministri të tjera të linjës etj. Zhvilluesi i zonës ekonomike pajiset me licencë nga Ministria e Ekonomisë dhe ndjek procedurat për miratimin e projektit të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›