Meta iu shkruan zyrtarëve të lartë amerikanë: Zgjedhjet në rrezik
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, iu ka dërguar një letër anëtarëve të Kongresit, Departamentit të Shtetit, Departamentit amerikan të Tregtisë, ish-ambasadorëve amerikanë në Shqipëri dhe anëtarëve aktivë të komunitetit të shoqërisë civile në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke iu shprehur shqetësimin serioz në lidhje me përmbushjen e angazhimit të qeverisë për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme më 28 qershor.
Meta planifikon të vizitojë Uashingtonin më 13 prill për t’u takuar me drejtues amerikanë dhe për t’iu kërkuar monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Shqipëri.
“Kemi shqetësime serioze në lidhje me angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme në qershor”, - thotë Meta.
“Ne kërkojmë që SHBA dhe organizatat jo-qeveritare ndërkombëtare të marrin në konsideratë hapat për të shtuar vëzhgimin, mbështetjen dhe monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri”, - vazhdon Meta. “Është kritike që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare demokratike.”
Meta ka sqaruar në letrën e tij dhe arsyet pse shqetësohet për standardet zgjedhore.
“Gjatë krizës aktuale ekonomike, qeveria shqiptare i dha fund marrëveshjes së mbikëqyrjes më Fondin Monetar Ndërkombëtar, pavarësisht paralajmërimeve të ekspertëve që këshillonin zgjatjen e saj për të shmangur rrezikun e destabilizimit nga shpenzimet populiste në këtë vit elektoral. Deficiti i Shqipërisë arriti në 13 për qind të GDP në shkurt, më i madhi i regjistruar ndonjëherë në vend.
Në vetëm një muaj, valuta shqiptare humbi 5 për qind të vlerës së saj. Duhet theksuar se kryeministri, Sali Berisha, ka deklaruar tashmë se qeveria do të rrisë pagat dhe pensionet më 1 maj, dy muaj përpara zgjedhjeve”, - thuhet në letrën e Metës.
“Departamenti i Shtetit në Raportin vjetor për të Drejtat e Njeriut theksonte: Gjatë vitit 2008, qeveria tentoi të arrinte kontroll më të madh mbi institucionet e pavarura, si gjyqësori, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe mediet”, - vijon më tej letra e kryetarit të LSI.
Meta ka theksuar gjithashtu problemin e kartave të identitetit si shumë të rëndësishëm.
“Disa nga përgatitjet parazgjedhore janë bërë problematike. Shpërndarja e një numri prej 3 milionë kartash identiteti është krejt jashtë afateve dhe disa lista votuesish janë problematike. Një numër prej rreth 740 mijë shqiptarësh nuk kanë pasaportë - dhe nëse kartat e tyre të identitetit nuk do jenë gati në kohë, ata nuk do mund të votojnë”, - shkruan Meta.