Flamuri ngarkohet të hartojë librin e antipërrallave
Flamuri ka qenë shumë në siklet këto dy ditët e fundit për shkak të një porosie të çuditshme që i ka dhënë ai burri e që i dukej se dilte jashtë kompetencave te tij.
Ai burri e thirri një mbrëmje dhe e porositi të analizonte me shumë kujdes përrallat që tregonte herëpashere ambasadori amerikan, si dhe të mblidhte informacion për përrallat e tjera që ai mund të tregonte këtej e tutje.
- Duhet të jemi të përgatitur Flamur, duhet të jemi të informuar që t’i përgjigjemi si duhet. Le të tregojë përralla ai. I thashë edhe zonjës Klinton, nuk është serioz ai, tregon përralla dhe nuk më takon mua po takon Agron Llakajn, kur më imiton mua, d.m.th., kërkon të më bëjë qesharak. Jo, e di unë. Ta them unë ty. Hetoje Flamur këtë çështje dhe eja më raporto.
Flamuri, që i duket sikur ai burri ka gjithnjë të drejtë e s’ia kthen dot fjalën prej përuljes, tha: “Si urdhëron”, dhe ktheu thembrat nga majat.
Vetëm kur doli jashtë, i thirri mendjes.
- Po ç’dreqin t’i raportoj atij unë?! Unë s’marr vesh as nga përrallat, se s’më ka treguar njeri as kur isha i vogël, se më dërgonin me bagëti. Pikë e zezë! Po dhe ky ambasadori s’ka punë tjetër për të bërë po tregon përralla!
Sakaq i ra në mend se nga kjo mund ta shpëtonte vetëm një kuksian që punon në ambasadën amerikane dhe që Flamuri e konsideron si burimin e vet të informacionit.
E thirri dhe i kujtoi nja dy ndere që i kish bërë në administratë, pastaj doli në temë.
- ǒbën ky burri juaj? - i tha mikut të vet.
- Hiç, punë të zakonshme, - ia ktheu burimi i informacionit.
- Më thanë se tregon përralla, s’ka punë tjetër ai. Merr vesh se cila është përralla e radhës që do të tregojë dhe m’i sill këtu t’i analizojmë bashkë e t’i zbusim pak, para se t’ia çojmë atij burrit.
Nga mbrëmja punonjësi shqiptar i ambasadës erdhi me një bllok shënimesh dhe nisi ta shfletojë ngadalë.
- Përralla e parë ka të bëjë me një krimb që hëngri më shumë se ç’i nxinte barku dhe plasi. Besoj e ke dëgjuar tani?
- Po mor po, e kam dëgjuar, po ç’kuptim ka, se s’po e marr vesh?
- Sipas meje e ka për ata burrin që ka ngrënë më shumë se ç’duhet, ndaj duhet të bëjë kujdes, se është i babëzitur.
- Ashtu ëë? Qenka më thellë se ç’e mendoja. Po tjetër?
- Përralla tjetër është e Borëbardhës.
- Po kjo ç’lidhje ka me atë burrin?
- Po ja, dhe unë s’e di mirë se ç’do të thotë, e konsideron njërin nga xhuxhët apo shtrigën, një Zot i merr vesh këta amerikanët.
- E poshtër qenka edhe kjo. Po tjetër?
- Po është dhe një përrallë e tretë që po e bën gati për ta treguar.
- Po kjo përse flet? - e pyeti Flamuri.
- Si të ta them në shqip, për miun që s’e nxinte vrima dhe tërhiqte dhe një kungull pas.
- Këtë mos ma shpjego, se e kuptoj vetë, - i tha Flamuri. - E ka për Fatmir Mediun. I thashë, mos e bëj koalicionin e mos dil në TV me të, se ne s’na duan as kështu si jemi, jo me gjithë Fatmirin, po s’ma dëgjoi llafin. Ore po përralla të poshtra tregoka ai. S’di as si t’ia shpjegoj atij burrit, se më vjen turp.
Aty nga darka e mori ai burri si zakonisht dhe e pyeti ç’kishte bërë me përrallat e ambasadorit.
- Po hiç mo, ato që ka thënë e që i kemi dëgjuar dhe po përgatit dhe një përrallë me kungull, po më duket se s’e ka me ty, por me Fatmir Mediun.
- Ashtu ëë? Mirë Flamur, ne duhet të përgatisim librin tonë me përralla. Një përrallë e dua me NATO-n, një me pensionet, një me rrogat, një me rrugën Rrëshen- Kalimash.... të tjerat shtoji vetë.
U ul Flamuri i shkretë t’i merrte me radhë.
- NATO... mund ta bëj me përrallën e Ciklopit, tha, pensionet me dhelprën që i jep të hajë supë lejlekut në pjatë, rrogat me këtë përrallën e lejlekut që fton dhelprën dhe ia fut gjellën në shishe... rrugën Rrëshen- Kalimash me këtë përrallën e garës së vrapimit mes breshkës dhe lepurit që e fiton breshka... Iu bënë lëmsh.
Eh ç’më gjeti belaja, tha. Ku marr vesh unë nga këto gjëra. T’ia jap këtij Bujar Leskajt, se ky ka filluar bën kritika për librat dhe ndoshta e qëllon ndonjë përrallë të mirë.
Dhe kështu bëri. Mori në telefon Leskajn dhe i tregoi hallin.
- Ka thënë ai burri, - tha, - kush tregon më shumë përralla, do ketë vend të mirë në listë...
- Këtë e kam kuptuar, - tha Bujari, - se dëgjoj përditë Aldo Bumçin, por nuk jam i qartë, kush fiton, ai që i shkruan përrallat apo ai që i reciton?
- Jo, as njëri, as tjetri, - tha Flamuri. - Më shumë do fitojnë ata që nuk i kuptojnë përrallat, se ata që i kuptojnë, na prishin punë, se kuptojnë përrallat e atij burrit të ambasadës. Por ty, po më ndihmove, të jap unë një vërtetim që s’kupton nga përrallat.