E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e fasonëve dhe veshi i shurdhët i qeverisë

Nga Edmond Rusmali, Kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve

Opinioni publik besoj se ka vërejtur, ashtu si dhe unë, një përpjekje në grup të zyrtarëve të Ministrisë së Financave për të demonstruar e për të treguar në mediet televizive se në vendin tonë nuk ka krizë. Për çudi, në të gjitha rastet analizohet sektori fasonist dhe argumentohet me shifra fakti se vendi ynë nuk është prekur nga kriza. Si çdo qytetar i këtij vendi edhe mua më gëzon ky fakt, por duke qenë aktor i bashkëbisedimeve me qeverinë, mua më krijohet një situatë krejt tjetër nga ajo që paraqitet nga zyrtarët e Ministrisë së Financave.

Si kryetar i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, në gjirin e së cilës militojnë dy organizata punëdhënësish, ajo e tekstileve dhe e këpucëve, që punojnë me mall të porositësit (FASON), nga këto përgjigje mediatike, po marr përgjigjen e tryezës së rrumbullakët që realizuam me përfaqësues të Ministrisë së Financave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Ministrisë së Punës, Shanseve të Barabarta dhe Emigracionit, Institutit të Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore, si dhe në prani të njërit nga këshilltarët ekonomikë të kryeministrit.

Në atë takim ne ramë dakord që marrëdhëniet t’i vazhdojmë në mënyrë institucionale, duke programuar punën për të diskutuar në vazhdimësi, rast pas rasti, për masat që do të merreshin, pasi, siç tha zoti Florion Mima, “qeveria nuk do të lejojë që të humbasë as edhe një vend pune”.

Në këtë takim, jo vetëm nga institucioni i Dhomës, por dhe nga subjekte të veçanta, u bë një panoramë e plotë dhe e gjerë e situatës kritike në të cilën ndodhen fasonistët dhe konkretisht ata të industrisë së tekstileve dhe të këpucëve.

Me gjithë panoramën e gjerë dhe kërkesat konkrete dhe premtimin për dialog të vazhdueshëm, me këtë qëndrim qeveria, jo vetëm që nuk ka për të luftuar “për çdo vend pune”, por nuk do ta vërë ujin në zjarr për një sektor të tërë. Dhe ky qëndrim për industrinë e tekstileve dhe të këpucëve që punojnë me mall të porositësit nuk është i ri.

Në takimin tonë me përfaqësuesit e qeverisë, as edhe sot, ne nuk kemi thënë që jemi në krizë, por ne themi me bindje të plotë, se thikën në kockë e ndjejmë shumë mirë në këtë periudhë. Madje, më shumë se kur qeveria bëri reformën fiskale e vendosi taksën e sheshtë, duke rritur njëkohësisht pagën minimale.

Në takimin tonë ne deklaruam se pasojat e krizës botërore kanë filluar të ndihen te ne që në periudhën tetor-nëntor 2008. Dhe sa ditë kalojnë, ato bëhen më të rënda. Edhe sot ne nuk diskutojmë për krizë, por për pasoja të krizës botërore.

Duke analizuar veprimtarinë e qeverisë në lidhje me fasonët, me keqardhje konstatoj se me këta të varfër, që punësojnë mbi 100 000 njerëz, qeveria e ka me hile dhe asnjëherë nuk është ulur këmbëkryq me ta, t’i dëgjojë dhe t’i marrë në konsideratë kërkesat e mendimet e tyre. Qytetarë të këtij vendi janë dhe këta. Tatimpagues janë dhe këta, paçka se nuk futen në grupin e tatimpaguesve të mëdhenj, paçka se zënë rreth 5% të prodhimit të përgjithshëm bruto. Por ama zënë 54% të eksporteve të vendit dhe janë ndër aktorët kryesorë që fusin valutë të huaj në vend.

Historitë kanë filluar me VKM Nr. 42, ku u caktua një pagë reference për punëtorët e këtij sektori mbi 23 000 lekë, i cili, pas kundërshtimeve tona, u anulua dhe u zëvendësua nga VKM Nr. 285, ku paga referuese u caktua 17 000 lekë për punëtorët e pakualifikuar të sektorit tonë. Pagë e barabartë kjo me pagën minimale të të gjithë sektorëve të tjerë, si te telefonitë celulare, bankat, industria e ndërtimit etj.

Interesant është fakti se të tëra këto vendime që kanë prekur sektorin fasonist, janë bërë direkt nga zyrat e pushtetit, pa konsulta me grupet e interesit.

Kjo mënyrë të sjelluri, pa transparencë, është shfaqur dhe në ndryshimet që ka pësuar paga minimale në këto vite të kësaj qeverie.

Kulmi arriti në reformën fiskale e më saktë, në vendosjen e taksës së sheshtë, e cila vazhdon të trumbetohet si arritja më e madhe e kësaj qeverie. Dhe vërtet është! Por efektin e ka pasur në bizneset fitimprurëse dhe, e thënë më trashë, është aplikuar për interesa të caktuara të personave që kanë të pleksur pushtetin politik me atë ekonomik.

Ndërsa për sektorin tonë, si pasojë e rritjes së pagës minimale tri herë në këto vite të kësaj qeverie dhe që parashikohet të rritet prapë, shpenzimet na janë rritur tri herë më shumë në raport me përfitimin ekonomik prej vendosjes së taksës së sheshtë.

Dhe duke qenë se sektori ynë nuk operon me çmimet e tij në treg, rikuperimi i kësaj humbjeje, dhuratë nga kjo qeveri, bëhet vetëm nëpërmjet fitimit të ndërmarrjes fasoniste. Sa përfitim ka sektori ynë nga kjo reformë fiskale? Megjithatë, ne e pranuam, jo se norma jonë e fitimit është shumë e lartë, por se vendimeve të qeverisë të marra në mënyrë të njëanshme nuk mund t’i kundërviheshim dot dhe se mundësia për dialog me qeverinë ka qenë e pamundur. Dialog mund të bëhet vetëm me Doktorin, por dhe me të kur është ai në ditë të mirë.

Me gjithë këto represione që ka pësuar ky sektor në këto vite, sot, kur numri i punëtorëve të shkurtuar sa vjen e rritet, kur ka ndërmarrje që kanë mbyllur fare aktivitetin, kur ka ndërmarrje që kanë përgjysmuar prodhimin, kur ka ndërmarrje që s’kanë rinovuar kontratat e punës, kur ka ndërmarrje që nuk arrijnë të paguajnë detyrimet ndaj shtetit për tatimin e fitimit dhe sigurimet shoqërore, kur ka ndërmarrje që arkëtimet për punën e bërë po i marrin me shumë vonesë apo s’po i marrin fare, kur këto probleme u bënë prezent nga vetë subjektet në tryezën e rrumbullakët, të thuash që ky sektor nuk ka problem, por po vazhdon në të njëjtat nivele si në vitin 2008, më duket miopi.

Dua t’i pyes zotërinjtë qeveritarë: A kanë dëgjuar gjë, ka apo nuk ka krizë në Itali, Gjermani apo Greqi? Po qe se në këto vende nuk ka krizë, atëherë unë ju them me plot gojën se ne “gënjejmë dhe duam të përfitojmë nga ju”. Dhe po qe se në këto vende ka krizë, të jeni të sigurt se efektet e kësaj krize botërore, në radhë të parë, na prekin ne, se ne kemi kontaktin e parë me ta dhe, jo vetëm që jemi të “pa vaksinuar”, por në këtë epidemi, që është si flamë, ju si qeveri nuk po merrni asnjë masë profilaktike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›