E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Zgjedhjet po manipulohen, mungojnë në lista 200 mijë zgjedhës

Nga L.Progni

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS, Gramoz Ruçi, tha dje se zgjedhjet e 28 qershorit po rrezikohen dhe se është e mundur që ato të manipulohen nga qeveria. Ruçi tha dje se PS konstaton se zgjedhjet e 28 qershorit rrezikohen seriozisht. Sipas tij, zgjedhjet rrezikohen seriozisht si rezultat i mungesës së vullnetit politik të mazhorancës aktuale dhe z. Sali Berisha, me synimin e vetëm, manipulimin e rezultatit të 28 qershorit. Kreu i Asamblesë Kombëtare të PS tha se duhet të ishin hapur prej kohësh në të gjithë territorin e Shqipërisë 331 qendra aplikimi për kartat e identitetit, ndërkohë që janë hapur vetëm 143 të tilla, ose me pak fjalë, janë hapur në 40 % të territorit, kurse në 60% të territorit jo.

“Zgjedhjet janë seriozisht në rrezik, sepse listat e votuesve shqiptarë pa pasaportë, të shpërndara nga Ministria e Brendshme janë me defekte skandaloze, ku mungojnë në to mbi 200 mijë zgjedhës. Janë në rrezik, sepse deri më sot nga shtetasit që nuk kanë pasaportë, kanë aplikuar vetëm 150 mijë, nga 729 mijë që deklaron Ministria e Brendshme, e barabartë kjo vetëm me 20% të tyre, dhe nga 900 mijë që janë realisht pa pasaportë, kur kanë ngelur vetëm 62 ditë pune për të aplikuar. Janë në rrezik, sepse ka një mungesë totale transparence nga pikat e aplikimit në zbatim të urdhrit qeveritar. Janë në rrezik, sepse edhe në pikat që funksionojnë, ka mungesa të qëllimshme të energjisë elektrike dhe të funksionimit të internetit. Janë në rrezik, sepse ka moszbatim të orarit nga operatorët, ka mungesa të operatorëve, ka pika vetëm me një operator, me qëllim për të sorollatur dhe mërzitur qytetarët aplikues. Janë në rrezik, sepse ky proces nuk është në shërbim të qytetarëve, si rezultat i barrierave administrative që mërzisin dhe demotivojnë aplikuesit”, - tha dje Ruçi.

Deklarata

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS tha se java e pranimit të Shqipërisë në NATO po përdoret nga zyrtarët e mazhorancës për synime elektorale dhe se meritën për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO nuk e ka mazhoranca por e gjithë Shqipëria.

“Shqipëria në NATO është vërtetë një arritje historike e të gjithë shqiptarëve, ashtu sikurse është një ëndërr e bukur për të gjithë ne. Por, Shqipëria në NATO nuk është një slogan elektoral i pushtetarëve, duke lënë zgjedhësit pa votuar. Shqipëria në NATO është për të gjithë qytetarët shqiptar, edhe për ata qytetar që për shkak të varfërisë, kërcënohen në të drejtën e tyre për të votuar më 28 qershor, edhe pse PSSH, ka kërkuar dhe vazhdon të kërkoj që këto karta të jepen falas. Në vend që qeveria të miratojë propozimin nga subjekti ynë politik, ajo i përgjigjet me gjysmë lehtësira, që më shumë e komplikojnë dhe vështirësojnë procesin se sa e zgjidhin atë”, - tha Ruçi. Ai kërkoi nga krerët e mazhorancës t’i përgjigjen me seriozitet kërkesës së opozitës për pajisjen me karta falas të qytetarëve që s’kanë mundësi të paguajnë. Përgjigjja që ka ardhur nga mazhoranca për kompensim të këtyre parave nga qeveria, sipas opozitës, nuk është zgjidhje.

“Kush do të përcaktojë pensionistin me pension minimal, operatorja e aplikimit? - Kush do të përcaktojë nxënësin apo studentin, përsëri operatorja në aplikim? - Çfarë lehtësie është kjo që t’i thuash qytetarit, shko paguaj 12 mijë lekë dhe më pas unë do ta rimbursojë atë?! Kur dhe si, apo ashtu sikurse ka rimbursuar gjoja energjinë elektrike deri më sot?! Duke e mbyllur me kërkesën për Sali Berishën: Të mos bëjë shurdhin dhe as memecin, por të dëgjojë zërin këmbëngulës të opozitës, për të mos shkelur të drejtën e shenjtë për të votuar dhe të heqë një herë e përgjithmonë nga mendja e tij shpresën për të manipuluar zgjedhjet e 28 qershorit. Sali Berisha të mos luajë me zjarrin! Partia Socialiste është pikërisht për zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe do të jetë në krye të barrikadës për realizimin me sukses të këtyre zgjedhjeve”, - tha Ruçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›