E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta kërkon betejë frontale, akuza gati dëshmitarët “VIP”

05/07/2011  Pritet të thirren dëshmitarët nga Prifti deri tek Rezart Taçi. Juristët për kërkesën

TIRANE- Heqja dorë nga një pjesë e kërkesave paraprake të bëra pak kohë më parë në Gjykatën e Lartë nga ish-ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, duket se tashmë i ka hapur rrugë përballjes frontale mes akuzës dhe palës mbrojtëse. Përballja pritet të startojë me dëgjimin e rreth 50 dëshmitarëve, ku mes tyre nuk mungojnë emra të personave VIP, duke filluar nga njeriu që u bë sebepi i kësaj çështje, Dritan Prifti e deri tek biznesmeni i kompanisë ARMO, Rezart Taçi, i cili është pyetur nga prokurorët lidhur me një episod të paqartë nga ana e tyre. Në listën prej rreth 50 dëshmitarësh janë dhe persona të tjerë VIP si biznesmeni i kompanisë “Vëllezërit Tola” sh.p.k Agim Rrapaj, si dhe inspektori Artur Hajdari, të dy të përmendur në video përgjimin mes ish-zv/kryeministrin e asaj kohe Ilir Meta dhe ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. Veç tyre në gjykatë do thirren për të dëshmuar dhe disa administratorë të tjerë të kompanive që kanë qenë pjesëmarrëse në tenderin e marrjes për koncesion të hidrocentralit të Shushicës. Ata janë pyetur nga Prokuroria, duke sqaruar të gjithë procedurën e aplikimit të koncesionit në Ministrinë e Ekonomisë. Gjithashtu listës së dëshmitarëve do i shtohen dhe anëtarët e Agjencisë së Prokurimit Publik, të cilët kanë mbikëqyrur garën për koncesionin e HEC të Shushicës. Momentalisht i pandehuri Ilir Meta ka dorëzuar në sekretarinë e Gjykatës së Lartë kërkesën për heqjen dorë nga kërkesa për pushimin e çështjes për shkak të mosrespektimit të afateve ligjore dhe shkeljes së procedurës. Avokati Gëzim Veleshnja u shpreh se me anë të kërkesës së sapodepozituar kërkohet vijim i pandërprerë i hetimit, ndërkohë ka shtuar se nuk do të hiqet dorë nga kërkesat e tjera, për të cilat do të paraqiten prova e fakte të reja. “Kërkojmë gjykimin e çështjes në mënyrë të drejtë dhe të pandërprerë. Do paraqesim edhe provat për shkeljet që ka bërë organi i akuzës si dhe për manipulimin e videos”,-theksoi Veleshnja. Ndërkohë që shumë juristë e quajnë një rast të paprecedentë nismën e ndërmarrë nga ish-ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, kjo për shkak se ajo është kryer në një fazë kur trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin mbi këtë kërkesë. Ata shprehen, se pas tërheqjes së trupit gjykues për marrjen e vendimit nuk mund të bëhet asnjë kërkesë qoftë nga Prokuroria, por dhe nga pala mbrojtëse. Pas shprehjes së gjykatës, atëherë palëve u lejohet të vijojnë me kërkesa të tjera, për të cilat sërish në fund shprehet gjykata. Sipas tyre, tashmë Gjykatës së Lartë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të tërhiqet dhe ajo nga marrja e vendimit për çështjen e afateve hetimore, ose në këtë pikë të vendosë rrëzimin e kërkesës së bërë ditë më parë nga i pandehuri Ilir Meta.

Dëshmitarët kryesorë të Prokurorisë

Dritan Prifti ish-ministri i Ekonomisë

Agim Rrapaj aksioner i firmës “Vëllezërit Tola”

Rezart Taçi administrator i “Taçi Oil” dhe ARMO

Artur Hajdari inspektor në Lushnjë

Disa komisionerë Agjencia e Prokurimit Publik

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›