E Diel, 1 Nëntor 2026

Liria e mediave: Maqedonia në shoqëri me Tanzaninë

Maqedonia vazhdon të jetë në fokusin e kritikave nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Kësaj radhe një grusht i fortë ka ardhur nga ‘Freedom House’, ku theksohet se Maqedonia ka shënuar rënie për sa i përket lirisë së shprehjes dhe mediave. Ajo renditet në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lira, së bashku me Kongon, Liberinë dhe Fixhin. Sipas raportit, Maqedonia ka shënuar 5 hapa prapa dhe aktualisht pozicionohet si një nga vendet më pak të lira në Ballkan. Drejtorja e Projektit për Lirinë e Shtypit në Freedom House, Karin Karlekar deklaroi se në përgjithësi, në Maqedoni, situata politike është shumë e polarizuar. Kjo parqet një tregues të ri shqetësues për gjendjen e demokracisë në Maqedoni. Në raportin e Freedom House, Maqedonia radhitet e 120-a prej gjithsej 196 vendeve të renditura në raportin vjetor mbi lirinë e shtypit. Krahasuar me vitin e kaluar, rënia është me 5 vende. Sipas kryetarit të SHGM-së, Naser Selmani, për një gjendje të tillë të mediave ka kontribuar raporti që ka qeveria ndaj kësaj fushe, raporton Alsat-M.

“Përgjegjësi më të madhe për këtë gjendje të keqe të medias dhe të lirisë së shprehjes në Maqedoni e mban qeveria. Qeveria, ashtu siç e ushtron pushtetin në Maqedoni, në mënyrë të skajshme nëpërkëmb të drejtat e qytetarëve. Përdor pushtetin për të vënë kontroll mbi mediat dhe për të kufizuar hapësirën publike, ku do të mund të kritikohen politikat e kësaj qeverie”, tha Selmani.

Maqedonia renditet e fundit edhe në grupin e shteteve ballkanike. Para Maqedonisë, gjenden Shqipëria, Bosnja dhe Kosova, në vendin e 83-të është Greqia, në atë të 81 është Kroacia, në të 77 Bullgaria, në të 74 Mali i Zi dhe Serbia. Vendi me pozicionimin më të mirë në rajon në gazetari është Sllovenia, në vendin e 40-të. Kohë më parë kritika të ashpra lidhur me të drejtat dhe liritë e njeriut, Maqedonia mori nga Departamenti Amerikan i Shtetit./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›