E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, konsensus qeverisë për për statusin e kandidatit në BE

>Lideri i LSI, z.Ilir Meta përshëndet Ratifikimin e MSA nga vendet e BE-së dhe hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje. Meta shprehet se kusht kryesor që Shqipëria të arrijë standardet e BE, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. "Pavarësisht nga kontestimet themelore që LSI i ka bërë keq-qeverisjes së Kryeministrit Berisha, në drejtim të dëmeve institucionale, që sjell me amendimet kushtetuese dhe ligje të tjera, në drejtim të performancës së dobët në manaxhimin ekonomik të vendit, ne do të jemi kontribues konstruktivë të gjithë iniciativave që e çojnë Shqipërinë në një fazë të re, atë të vendit kandidat."-tha Meta. "Dëshiroj të përshëndes ratifikimin nga Parlamenti i Greqisë i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ratifikimi i Greqisë, vendi i fundit anëtar i BE-së që ratifikon këtë marrëveshje, shënon gjithashtu hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshje"-tha Meta Tashmë, nënvizoi ai,- Shqipëria hyn në një fazë cilësisht të re në marrëdhënien e saj me Bashkimin Evropian, fazë e cila hap mundësinë e aplikimit për statusin e vendit kandidat. "Aplikimi për statusin e vendit konditat, serioziteti dhe koha në të cilën do të paraqitet kjo kërkesë do të përcaktojnë ecurinë dhe shpejtësinë e ardhshme të integrimit të vendit në BE"-deklaroi Meta. Ky moment tepër i rëndësishëm, vazhdoi ai,- kërkon seriozitet dhe një përgjegjshmëri të jashtëzakonshme nga institucionet e vendit, nga parlamenti, por mbi të gjitha nga mazhoranca aktuale, e cila duhet të kuptojë se çdo shfrytëzim politik i këtij momenti nuk bën gjë tjetër veçse vë në pikëpyetje suksesin e këtij aplikimi.
"BE ka shprehur qëndrimin e qartë e paekuivok se Shqipëria duhet të hedhë një sërë hapash të rëndësishëm për afrimin e mëtejshëm drejt saj, veçanërisht në drejtim të arritjes së standardeve në kriteret politike. Kushti i parë përcaktues janë zgjedhjet e lira e të ndershme të Qershorit 2009"-deklaroi Meta.  Sipas tij, çdo dështim në organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, do të ngarkojë me përgjegjësi direkte Sali Berishën dhe Qeverinë e tij, jo vetëm për cenimin e vullnetit të shqiptarëve, por edhe për kompromentimin e realizimit të aspiratës së tyre për integrim në BE. "Unë mendoj se për të paraqitur aplikimin për statusin e një vendi kandidat për Bashkimin Europian, në radhë të parë duhet një konsensus shumë i gjerë politike brenda vendit, që sipas mendimit tim, do të thotë një tryezë e thirrur nga Presidenti i Republikës me përfaqësuesit kryesorë të mazhorancës dhe të opozitës për të diskutuar këtë fazë të re ku hyjnë marrëdhëniet e Shqipërisë me BE dhe procedurat që duhet të ndiqen më tej. Pra, nuk duhet kthyer në një lojë politike, por duhet zgjeruar maksimalisht konsensusi politik për procedurat që do të ndiqen në të ardhmen. Mendoj se, një konsensus tepër i gjerë do të ishte një faktor i rëndësishëm për tu mirëpritur një aplikim i tillë nga Bashkimi Europian"-deklaroi Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›