Dosjet, Berisha: Topi shprehu të drejtën e vet kushtetuese
Pavarësisht hezitimit të Presidentit Bamir Topi për hedhjen e firmës mbi ligjin e ri të lustracionit, Kryeministri Sali Berisha shprehet i kënaqur me hyrjen e ligjit në fuqi. Duke folur në një takim me studentët e Elbasanit, z. Berisha e quajti dje domosdoshmëri për vendin ligjin që mundëson pastrimin e figurave të zyrtarëve, duke shmangur kështu një përplasje publike me Presidentin. Berisha pranoi faktin se Presidenti i vendit në këtë rast zgjodhi një nga tri alternativat që i jep Kushtetuta, atë të mosshprehjes. “Kombi do të ecë përpara dhe në Shqipëri lustracioni është më jetik se kudo. Nuk kam ndonjë koment të veçantë për qëndrimin e zotit President. Ai ka bërë zgjedhjen e vet, ka ushtruar të drejtat e tij kushtetuese, pasi në Kushtetutë Presidenti një ligj e firmos, ia kthen Parlamentit ose nuk shprehet. Ndër tri variantet ka përzgjedhur variantin e mosshprehjes”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri anashkaloi emrin e prokurorit Zamir Shtylla, i cili u dorëhoq nga grupi hetimor për Gërdecin. Por ai pohoi se "dosjet e rëndësishme mund t’i shqyrtojnë 760 prokurorë dhe gjykatës të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me të shkuarën dhe nuk i kanë duart e përlyera me gjak. Ligji parashikon çdo të drejtë për cilindo që gjendet në konflikt për lustracionin”, - tha z. Berisha. Kështu, Kryeministri nuk ka komentuar me nota negative qëndrimin e kreut të shtetit, por thjesht ka vlerësuar se z. Topi ka shprehur të drejtën e vet, duke zgjedhur një prej tri alternativave që mundëson Kushtetuta.
Kryeministri garantoi se ligji nuk është për hakmarrje dhe: “Ju garantoj se do të jetë një proces tërësisht transparent, nuk do të ketë asnjë lidhje me ndonjë lloj hakmarrjeje, sepse ata që preken nga ligji, do të kenë të drejtë të shkojnë në tri shkallët e gjyqësorit, do të kenë të drejtë t`i drejtohen Strasburgut për të paditur qeverinë dhe Parlamentin shqiptar. Ne, - tha ai, - jemi vendi i lirë, por ajo që kemi përjetuar, ishte mjaft e rëndë. Të gjitha vendet e Evropës Juglindore të marra së bashku, nuk kanë as gjysmën e të ekzekutuarve që ka Shqipëria. Çekia, Gjermania, Sllovakia, të marra së bashku, nuk kanë të pushkatuar sa kemi ne gra të pushkatuara nga regjimi komunist”. Berisha sqaroi: “Në 1995-ën bëra këtë ligj që është absolutisht antihakmarrje”. Sipas tij, ka një dallim mes demokracisë dhe diktaturës. “Diktatura është urrejtje dhe hakmarrje, demokracia është mirëkuptim, kompromis, pajtim. Këto janë nga ana e vlerave. Që ju të keni në krye të sistemit të drejtësisë vetëm ata të cilët i kanë duart e tyre të lyera me gjak, kjo nuk mund të pranohej më tutje. E vura ligjin në 1995-ën, mora variantin çek, u përkthye dhe u zbatua. Ligji çek ishte miratuar në 1991-shin, ishte vlerësuar kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Çekosllovakisë”, - deklaroi z. Berisha. “Pasi u nda Çekosllovakia, - shtoi ai, - ish-komunistët në pushtet erdhën në Sllovaki dhe anuluan ligjin në Parlament. Prandaj, kthimi majtas është kthim prapa. Në kohën kur çekët dhe shqiptarët kishin bërë ligjin, nuk kishte dokumente ndërkombëtare”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri rikujtoi se në vitin 1996, Këshilli i Evropës miratoi platformën e lustracionit, e cila theksonte: e para, do të duhet të bëhet drejtësi retroaktive; e dyta, duhet të konsiderohet krim edhe ajo që gjatë diktaturës s’ka përbërë krim, por ka qenë një e drejtë në një shoqëri të lirë dhe, e treta, nuk mund të përdoren metodat e përparshme ndaj atyre që lustrohen. Sipas tij, ky është një kufizim i përkohshëm të drejtash dhe, ç’është e vërteta, nuk ka vend në botë që s`ka bërë kufizime të përkohshme dhe ky është një kufizim minimal i një grupi shumë të vogël. “Përse u dashka që drejtësia shqiptare të mos drejtohet nga 760 prokurorë apo gjykatës që kanë lidhje me të shkuarën aq sa keni ju, por duhet të drejtohet nga ata që varën në sheshet e Shqipërisë në vitin ’88 apo që urdhëruan lidhjen me tela me gjemba dhe zvarritjen në rrugët e Shkodrës? Dhe kjo, vetëm se ai njeri, në moshën tuaj, kishte kërkuar të dilte jashtë kufirit”, - deklaroi Kryeministri Berisha.
Berisha, tur takimesh me rininë
Kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një tur takimesh me të rinjtë shqiptarë në mbarë vendin. Berisha zhvilloi dje një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, në qytetin e Elbasanit, duke çelur kështu një seri takimesh me rininë universitare të Shqipërisë. Kryeministri Berisha pati një bashkëbisedim me studentët dhe stafin akademik dhe iu përgjigj interesimit të tyre për çështje të ndryshme. Ai i falënderoi ata për pritjen dhe i siguroi se, për qeverinë, shkollimi, dija e rinisë shqiptare dhe punësimi i tyre, mbetet prioritet kryesor. Kryeministri vlerësoi se universitetet janë laboratorët e të ardhmes së kombit. “Kam pasur fat të madh që çdo betejë, të cilat nuk kanë qenë të lehta, e kam fituar me ju dhe para së gjithash në sajë tuaj. Edhe në vitin 2005 kam qenë i bindur më shumë se kurrë për fitoren, sepse atë e shihja në sytë tuaj, në mbështetjen tuaj”, - u shpreh Kryeministri.