E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mbyll MSA-në, përfundojnë ratifikimet

>Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu vlerësoi sot në një konferencë për shtyp përmbylljen e procesit të ratifikimit të MSA-së nga vendet anëtare të BE-së, si një hap të sigurt të Shqipërisë në rrugën drejt Europës dhe një tregues të përmbushjes nga qeveria shqiptare të detyrimeve që dikton procesi i integrimit.  Sigurisht që nuk do të ishte e mundur përmbyllja e kësaj faze dhe hyrja në fuqi e MSA-së nëse qeveria shqiptare nuk do të kishte sjellë rezultate bindëse të realizimit të reformave kyçe para faktorit ndërkombëtar. Track records- i (ecuria e reformave) ynë është më i miri në rajon për reformat dhe për anën ligjore krahasuar edhe me vende të cilat kanë aplikuar tashmë për statusin e vendit kandidat. Gjithësesi duhet të përgatitemi për hapat e mëtejshëm, pasi detyrimet sa vijnë e shtohen, tha ministrja duke informuar rreth situatës së re që pritet të krijohet dhe që do të sjellë nevojën për ndryshime legjislative, pasi qeveria Shqiptare duhet të përgatitet të marrë pjesë në vendimmarrje në Këshillin e Stabilizim Asocimit, Komitetin e Stabilizim Asocimit, Komitetin Parlamentar për Stabilizim Asocimin. Të treja këto struktura ndërkombëtare do të ndihmojnë për implemendimin e detyrimeve që do të rrjedhin nga fazat e mëtejshme të procesit.  Ndërkaq, Këshilli i Ministrave ka miratuar para pak ditësh krijimin e njësive të integrimit europian, si struktura të veçanta në nivel drejtorie, në përbërje të të gjitha ministrive, njësi këto që do të merren me bashkërendimin dhe monitorimin e programimit të ndihmës komunitare si dhe mbështetjen teknike të mbledhjeve të grupeve të përhershme të punës.    
 
 
 
****************************************
Çfarë ndodh pas ratifikimit të MSA-së  
 
Pas 2 vjet e gjysmë nga nënshkrimi në 12 qershor të 2006-ës, BE-ja përmbyll procesin e ratifikimit të MSA-së me Shqipërinë (Greqia është vendi i fundit që ratifikon MSA-në), afat kohor ky normal i krahasuar me vendet kandidate. Pas dorëzimit të instrumentit të ratifikimit nga të gjithë vendet që e kanë ratifikuar, (Gjermania, Franca dhe Greqia ende nuk kanë dorëzuar instrumentin e ratifikimit) bie marrëveshja Interim dhe brenda një periudhe shumë të shkurtër hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asocimit si marrëdhënie kontraktuale mes Shqipërisë dhe BE-së.
 
 
*************************************
 
Strukturat e reja që do të krijohen
 
Këshillin e Stabilizim Asocimit (Këshilli i Stabilizim Asociimit përbëhet nga anëtarë të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe anëtarë të Komisionit të Komuniteteve Evropiane, nga njëra anë, dhe anëtarë të Qeverisë së Shqipërisë, nga ana tjetër),
Komitetin e Stabilizim Asocimit (Komiteti i Stabilizim Asociimit, i përbërë nga përfaqësues të Këshillit të Bashkimit Europian e përfaqësues të Komisionit të Komunitetit Evropian, nga njëra anë, dhe përfaqësues të Shqipërisë, nga ana tjetër), Komitetin Parlamentar për Stabilizim Asocimin (ky Komitet është forumi i Anëtarëve të Kuvendit Shqiptar dhe Parlamentit Europian për të diskutuar dhe shkëmbyer mendimet e tyre)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›