E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, grinden dy të rinjtë lazaratas, njëri përfundon në spital

>Dy të rinj nga Lazarati grinden për shkaqe banale dhe njëri prej tyre përfundon në spital i plagosur me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së mërkurës në një prej lokaleve të natës në qytetin e Gjirokastrës, kur si pasojë e një grindjeje të çastit për motive të dobëta, shtetasi Lorenc Basha, 25 vjeç nga Lazarati, ka plagosur me armë zjarri tip pistoletë, bashkëfshatarin e tij Krenar Toti, 31 vjeç. Pas goditjes me pistoletë dhe njoftimit të Policisë së Gjirokastrës, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe grupi hetimor. Në momentin e konfliktit, në tavolinën që konsumonin pije, kanë qenë të ulur së bashku agresori Lorenc Basha së bashku me dy miqtë e tij, E. Skënduli dhe V. Buci, po nga fshati Lazarat. Këta dy këta të fundit janë prangosur nga policia, pasi kanë konsumuar veprën penale të moskallëzimit të krimit. Prangat mbi dy të rinjtë janë vendosur në momentin e marrjes në pyetje, pasi nuk kanë dëshmuar ngjarjen e ndodhur. I dëmtuari nga kjo ngjarje, Krenar Toti, i qëlluar në kokë me plumb, është shoqëruar në orët e para të ditës së djeshme në Spitalin e Gjirokastrës për të marrë asistencën mjekësore. Kirurgu Roland Karalli, është shprehur se gjendja e të plagosurit ka qenë kritike në momentet e mbërritjes, por më vonë, situata shëndetësore e tij u përmirësua dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në vendngjarje, ka gjetur dhe sekuestruar më pas në cilësinë e provës materiale pistoletën tip TT me plumb në folenë e fishekut dhe një krehër me një fishekë si dhe gëzhoja, të cilat sipas policisë janë përdorur nga agresori i sulmit me armë. Policia nga ana e vet, ka kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe materialet në ngarkim të shtetasve E. Skënduli. dhe V. Buci i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprën penale të Moskallëzimit të krimit, si dhe për shtetasin Lorenc Basha për veprën penale të Vrasjes me dashje mbetur në tentativë dhe Armëmbajtjes pa leje. Në kushtet e arratisë së Bashës, fill pas kryerjes së veprës penale, Policia e Gjirokastrës nga na e vet ka bërë shpalljen në kërkim dhe ndërkohë po punohet për kapjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›