E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Shkodër: I zhgënjyer nga pretenca, rezerva ndaj Prokurorisë

(I përditësuar)-  Një ditë pas pretencës së Prokurorisë, për çështjen e video-përgjimit Meta-Prifti, kreu i LSI-së Ilir Meta ka reaguar për herë të parë gjatë një vizite në Shkodër.

Meta është shprehur i zhgënjyer nga pretenca. Kreu i LSI-së e ka cilësuar këtë çështje si një betejë, ndërsa thekson se është pro zbatimit të një shteti ligjor.

Jam i zhgënjyer nga pretenca e Prokurorisë. Unë jam për zbatimin e shtetit ligjor dhe do vijoj të mbetem qytetar i përgjegjshëm, duke respektuar ligjet. Ju siguroj se do ta fitoj këtë betejë. Nuk mohoj që kam rezervat e mia ndaj Prokurorisë,e cila nuk duhet të marrë drejtimin e krimit të organizuar. Pavarësisht kësaj pjese me rëndësi është fakti që LSI të rritet si forcë qeverisëse-deklaroi Meta.

*********

Tavo: Kërkesa e Prokurorisë për Metën, lojë e turpshme 

GJIROKASTËR- Lojë të turpshme e ka cilësuar kërkesën e Prokurorisë për dënimin e kreut të LSI-së, Ilir Meta, me 2 vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë, nënkryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Vangjel Tavo.

“Prokuroria që në fillim e ka treguar veten si palë në këtë proces, me ata që kanë manipuluar atë videokasetë, atë shfaqje, të cilën e bën më të turpshme fakti që ka nxitur revoltën  e 21 janarit, ku u vranë 4 shqiptarë të pafajshëm. Prokuroria vazhdon këtë lojën e turpshme, që ka  nisur që në fillim, që pa dalë në fakt kjo kasetë, sepse prokuroria ishte palë që në fillim të kësaj maskarade”, është shprehur Tavo.

Deklarata e deputetit të LSI-së, Vangjel Tavo, është bërë gjatë një konference për shtyp në qytetin e Gjirokastrës, ndërsa ka deklaruar se në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit të ardhshëm, kjo forcë politike do të ketë në qarkun e Gjirokastrës deputetin e saj. / Entela Bani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›