E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Shkodër, prezanton Axhemin dhe Fishtën

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me simpatizantë në qytetin e Shkodrës. Gjatë paradites ai zhvilloi takim me familjarët e viktimave të tragjedisë së 9 janarit, të ngujuar në një grevë urie. "Është turp që pas kaq vitesh asnjë pushtetar nuk është në bankën e drejtësisë, dhe ata tre shkodranë që kanë hyrë në atë grevë për fat të keq kanë marrë vendimin për t‘u vetëflijuar", tha Meta. Unë, tha ai, jam krenar që në dy vjet qeverisje arrita që atë rrugë që bëhej nga Tirana në Shkodër për tre orë e ca, ta sillja në këtë standard të mrekullueshëm që është sot. "Të gjithë shqiptarët duhet të kuptojnë se kush e ka përçarë dhe e do të përçarë të majtën, për të hir të një pushteti të korruptuar. Të gjithë shqiptarët të kuptojnë se kë ka nën kontroll Sali Berisha, ka nën kontroll Edi Ramën, apo ka nën kontroll Ilir Metën? Të kuptojnë se ndaj kujt ka material shtrëngues Sali Berisha, që sa herë bërtet, o i merr kodin, o i merr ligjin për prokurorinë, o i merr ligjin për gjykatat, i merr çfarë të dojë", insistoi Meta, teksa prezantoi për zgjedhjet e 28 qershorit emrat e Sokol Axhemit dhe Seit Fishtës. Gjatë takimit me familjarët grevistë të viktimave të 9 janarit, Meta vuri në dukje se "kjo është një grevë unikale në botë, që tre grevistë bëjnë grevë urie me tre arkivole ngjitur. Pasi kanë 5 vjet që u kërkojnë presidentëve të Republikës, që u kërkojnë prokurorëve të Republikës, që u kërkojnë ministrave të Drejtësisë, kryetarëve të Parlamentit që të hetohet çështja dhe të nxirret përgjegjësia". Meta shprehu keqardhje për zotin Namik Dokle, që në vend të vejë dhe të vizitojë të ngujuarit, sipas tij, shprehet në media se politika e re do të fitojë më 28 qershor. "Sot, nëpërmjet medias jam informuar që Kryeministri i asaj nate, zoti Dokle, se tjetri nuk ishte në Shqipëri, fliste për fitoren e politikës së re më 28 qershor, dhe nuk vjen këtu për t‘ju vizituar ju. Ndaj unë do t‘i

them atij: Si nuk të vjen turp që nuk ke ardhur t‘i takosh këta njerëz, se po bën 6 vjet që ka ndodhur kjo tragjedi, e nuk u ke ardhur për ngushëllim këtyre njerëzve", u shpreh Meta. Sipas tij, Dokle duhet të ketë kurajon të paktën të largohet nga politika, sepse kjo që po ndodh në Shqipëri është e tmerrshme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›