Meta në Stamboll: Ballkani s’mund të trajtohet si rast i dështuar për integrimin! Nëse BE dëshiron të jetë e madhe, të mendojë si e tillë

Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Forumin Ekonomik që po mbahet në Maltepe të Stambollit. Teksa vlerësoi Turqinë si një partner shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit, Meta foli për integrimin e vendeve të rajonit dhe ndërhyrjet e Rusisë pikërisht për të frenuar zgjerimin e familjes europiane.
Meta tha se Rusia nisi luftën me propagandën “për të ndërtuar botën ruse” dhe e njëjta propagandë po përhapet në rajon për “botën serbe”. Nëse BE do të shmang këtë, tha Meta, duhet të fillojë të mendojë si një familje e madhe dhe të marrë vendime strategjike që përkrahin zgjerimin dhe të mos e trajtojë Ballkanin si një rast i dështuar.
“Ne e kuptojmë se anëtarësimi europian është një proces i gjatë që kërkon reforma vendimtare dhe të pakthyeshme. Pra, po, detyrat e shtëpisë duhet të bëhen.Por është jashtëzakonisht e rëndësishme të theksohet se edhe pse ende larg progresit të dëshiruar, Ballkani Perëndimor nuk duhet të trajtohet si një rast i dështuar. Bashkimi Europian vendosi me mençuri të investojë politikisht, ekonomikisht dhe me kapital njerëzor në Ballkanin Perëndimor duke hartuar një proces anëtarësimi, bazuar në meritat individuale të reformave të qëndrueshme dhe të prekshme, të cilat vërtet përmirësojnë jetën e njerëzve. Ndoshta investimi më i rëndësishëm politik i BE-së në rajonin tonë është zbatimi i modelit të saj të bashkëjetesës i realizueshëm vetëm përmes perspektivës së anëtarësimit në BE. Fatkeqësisht, ky model pothuajse u komprometua me një projekt-ide ndryshim/korrigjim kufiri, i cili do të kishte riprodhuar konflikt, do të kishte vrarë perspektivën tonë europiane dhe do të minonte stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Përveç kësaj, agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë kundër Ukrainës u propagandua si e drejta e Rusisë për të “ndërtuar botën ruse”. E njëjta propagandë është përhapur edhe në rajonin tonë me “botën serbe”. Duket se Rusia nuk do të ndalojë përpjekjet as për t’i dhënë fund zgjerimit të BE-së, as për të prishur modelin demokratik të qeverisjes. Nëse Europa dëshiron të jetë e madhe, duhet të mendojë si e madhe. Vizioni dhe vendimet strategjike mund të vijnë vetëm nga brenda saj”, tha Meta.
Presidenti Meta foli edhe për punën që duhet të bëjë Shqipëria në forcimin e demokracisë që nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin e pavarur. ‘Askush nuk do ta bëjë këtë për ne, këtë duhet ta bëjmë vetë’, tha ai.
“Ndërsa liderët e BE-së adresojnë besueshmërinë e tyre ndaj politikës së zgjerimit, ne duhet të trajtojmë besueshmërinë tonë sa u takon rezultateve konkrete. Ajo që mund dhe duhet të bëjmë është të përqendrohemi në vendin tonë: 1. Prioritetet Themelore: Forcimi i demokracisë dhe shtetit të së drejtës.Demokracia fillon me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me institucione llogaridhënëse, me media të lira. Sundimi i ligjit kërkon zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin e pavarur dhe jo të kapur. Askush nuk do ta bëjë këtë për ne, këtë duhet ta bëjmë vetë. 2. Të kontribuojmë në forcimin e Aleancës Euro-Atlantike dhe marrëdhënieve me partnerët strategjikë. Përafrim i plotë i politikës tonë të jashtme me Bashkimin Europian. Nxitja e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal duke përdorur forume dhe mekanizmat ekzistues që mund të japin rezultate konkrete. 3. Refuzimi kategorik dhe dekurajimi me vendosmëri i mbështetjes ndaj çdo projekti që synon të ndryshojë perspektivën europiane të rajonit. Duhet bërë kujdes nga përpjekjet për të nxitur tensionet përmes retorikës toksike dhe veprimeve provokuese, siç e kemi parë tashmë gjatë muajve të fundit”, tha Meta.
/rtsh.al/