Bajram Begaj kandidat për President, Berisha: Shkelje e Kushtetutës, ushtarakëve aktiv u ndalohen poste të tilla! Meta të mos e lejojë

“Shkelje Kushtetuese me pasoja shumë të renda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit”, e cilëson Sali Berisha, kreu i PD i zgjedhur nga procesi i zhvilluar nga Rithemelimi, kandidaturën e gjeneral Bajram Begajt.
Berisha thotë se një ushtarak aktiv nuk mund të mbajë poste të tjera shtetërore apo të bëhet pjesë e ndonjë partie, pasi kjo është e sanksionuar në nenin 167 të Kushtetueses dhe nëse kjo ndodh, shtoi ai, atëherë bëhet një precedent mjaft i rrezikshëm e mundësisë së ardhjes së ushtarakëve në pushtet pavarësisht se Kushtetuta nuk i lejon ata.
Duke i bërë thirrje Metës që të mos lejojë këtë shkelje flagrante të Kushtetutës, Berisha thotë se Gjeneral Begaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen shumë kohë më përpara nga posti i tij dhe jo pak orë para votimit të tij si President.
‘Një akt antikushtetues dhe precedent tepër i rrezikshëm për vendin dhe demokracinë! Të dashur miq, propozimi i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare për postin e Presidentit të Republikës është një shkelje flagrante e Kushtetutës së vendit me pasoja shumë të renda për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Kushtetuta e Shqipërisë në nenin 167 përcakton: “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike. Pjesëtarët e Forcave të Armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe.”
Ky nen pra u ndalon rreptësishtë ushtarakeve aktiv të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera. Ndaj dhe ky emërim është antikushtetues dhe i rrezikshëm për të sotmen dhe të ardhmen e demokracisë shqiptare. Kjo shkelje e rende e Kushtetutës zhyt vendin në një krizë të rëndë kushtetuese. Kjo së pari se Kushtetuta në përcaktimin e saj është e qarte si kristal dhe është taksative në nenin e saj se ushtaraku aktiv nuk mund të emërohet dhe zgjidhet në detyra të tjera jashtë Ushtrisë. Ai që beson se mund të shesë gjeneral Bajram Begajn si ushtarak jo aktiv ai tallet me Kushtetutën, Ushtrinë dhe shoqërinë shqiptare. Gjeneral Begaj, i cili edhe në këtë moment është shefi i shtabit të përgjithshëm pra aktiv, po jep dorëheqjen apo po shkarkohet me dekret pra po largohet nga Ushtria si ushtarak aktiv pikërisht për t’u emëruar në një detyrë që Kushtetuta nuk e lejon.
Do te ishte antikushtetuese, e turpshme dhe jashtë çdo logjike ligjore të shpallje ushtarak jo aktiv atë që kalon nga karrigia me e lartë e Ushtrisë në karrigen më të lartë të shtetit. Në rast se gjeneral Begaj kishte ambicie politike, ai duhet prej kohesh të kishte hequr dorë nga funksionet ushtarake. Për qëndrimin e tij të dy ditëve te fundit ai provon se nuk njeh ligj as Kushtetutë për ambiciet e tij për pushtet ndaj dhe duhet larguar urgjent nga Ushtria si preson i rrezikshëm për vendin. Miq, Kushtetuta në nenin e saj 167 është taksative me qellim që ushtaraket për kohën që janë ushtarak aktiv nuk mund të kenë, ushqejnë ambicie për pushtete të tjera. Me këtë akt antikushtetues krijohet precedenti tepër i rrezikshëm për vendin sepse krijon precedentin e mundësisë se ardhjes se ushtarakëve ne pushtet pavarësisht se kushtetuta nuk i lejon ata.
Njëlloj si sot Bajram Bega, nesër një pasardhës i tij mund të përdor këtë precedent kushtetues për të uzurpuar qoftë dhe me grusht shteti kreun e shtetit. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt tipik për juntat dhe te pashembullt në historinë e vendeve të lira. Dënoj këtë akt si dëshmi flagrante e kapjes se shtetit dhe Kushtetutës nga një organizatë kriminale me në krye Edi Ramën, që nuk ka interesa të tjera përveç vjedhjes dhe plaçkitjes të qytetarëve. I bëj thirrje Presidentit të Republikës të mbrojë Kushtetutën dhe të mos lejojë këtë dhunim flagrant e tejet të rrezikshëm të saj’, shkruan Berisha.
Gjeneral Bajram Begaj ka dhënë dorëheqjen gjatë ditës së sotme, pas orë para votimit të kandidaturës së tij në Kuvend. Berisha ka paralajmëruar më herët se ai dhe deputetët që e përkrahin do të votojnë kundër tij në raundin e 4-t të votimit në parlament.
/rtsh.al/