Meta në mbështetje të Konfindustrisë: Të rritet fasha e konsumit të energjisë elektrike, boll me zhvatjen e familjeve shqiptare

Pas kërkesës së Konfindustrisë ndaj qeverisë për rishikimin e fashës prej 800 kilovatësh, ka reaguar dhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit ka mbështetur propozimin e Konfindustria për rritjen e fashës së konsumit të energjisë elektrike në 1200 kilovat. Sipas Metës, me fashën e vendosur nga qeveria preken financiarisht dhe në mënyrë të konsiderueshme rreth 90.000 deri në 130.000 familje shqiptare, kryesisht ato të shtresës së mesme.
“Mbështes plotësisht propozimin e Konfindustrisë Shqiptare për rritjen e fashës së konsumit të energjisë elektrike, mbi të cilin do të zbatohet pagesa me çmimet e tregut ndërkombëtar për familjarët.
Propozimi për vendosjen e kësaj fashe nga 800KW në 1200KW në muaj është plotësisht i drejtë, pasi me fashën e vendosur nga Qeveria preken financiarisht dhe në mënyrë të konsiderueshme rreth 90.000 deri në 130.000 familje shqiptare, kryesisht ato të shtresës së mesme.
Në kushtet e rritjes të çmimeve të naftës, produkteve të shportës dhe çdo shërbimi, është e pavend të rëndohen edhe më tej buxhetet familjare. Është koha për të mbështetur familjet shqiptare dhe jo për t’i zhvatur ato, me para që përfundojnë për inceneratorët, koncensionet dhe tenderat secrete”, shkroi Meta.
/rtsh.al/