Pukë, Fushë-Arrëz, Berisha: Varfëria i ka vënë përpara shqiptarët

Sali Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të zonës në Pukë dhe Fushë-Arrëz. Në këtë takim ai u shpreh se varfëria i ka vënë përpara shqiptarët dhe shkak për këtë, sipas tij, “është vjedhja e qytetarëve nga qeveria”.
Berisha komentoi se për çdo shqiptar ndjehet një dhimbje, një therje në shpirt, kur sheh se si po braktiset ky vend, ndërkohë që në rast se analizohen pasuritë e jashtëzakonshme që ka këtu, mund të begatohen me shpejtësi shumë herë më tepër se jashtë.
“Shqipërinë sot e ka vënë përpara, para së gjithash, varfëria krejtësisht e pamerituar. Varfëri që në ndonjë aspekt e rast të veçantë kap edhe tregimet e Migjenit. Varfëri, e cila shkaktohet mbi të gjitha nga vjedhja e madhe që u bëhet qytetarëve nga qeveria. Rroga dhe pensioni mesatar janë të paktën 20-30 përqind më të ulëta se në 2013, ku në 2013 ishin më të lartat në rajon. Sot kemi rroga më të ulëta në rajon”, tha Berisha.
/rtsh.al/